SRI LANKA

Policia në Sri Lanka ka arrestuar mbretëreshën e bukurisë Caroline Jurie, pasi ajo dyshohet se plagosi në kokë një tjetër mbretëreshë bukurie gjatë një trazire në skenë.

Pushpika De Silva fitoi titullin “Miss Sri Lanka” në një ceremoni televizive të dielën dhe ish-fituesja znj. Jurie duhej ta kurorëzonte atë.

Mirëpo, në vend të kësaj, Jurie ia tërhoqi kurorën nga koka fitueses De Silva, duke pretenduar se nuk mund ta mbante titullin pasi ishte e divorcuar!!!

Pas kësaj, Jurie tërhoqi në një mënyrë aspak të kujdesshme kurorën nga koka e De Silva-s dhe ia vendosi shoqërueses së parë.

Mrs. Sri Lanka është pjesë e konkursit të bukurisë “Mrs World” për gratë e martuara. Fitueset e titullit të secilit vend kalojnë në konkursin e përgjithshëm “Mrs World”.

“Ekziston një rregull që ndalon gratë që janë martuar dhe janë divorcuar, kështu që unë po marr një hap tjetër dhe po e kaloj kurorën në vendin e dytë,” -i tha Jurie publikut. Pasi ia hoqi kurorën me forcë, ajo ia vendosi shoqërueses së dytë, ndërsa De Silva la skenën duke qarë. Në një postim në Facebook, De Silva tha se ajo shkoi në spital për t’u trajtuar për dëmtime në kokë pas incidentit.
“Ka shumë nëna beqare si unë sot që vuajnë në Sri Lanka,“- tha ajo më vonë në një konferencë për shtyp. “Kjo kurorë u kushtohet atyre grave, atyre nënave beqare që vuajnë për të rritur fëmijët e tyre vetëm.”
Ajo shtoi se do të merrte masa ligjore për mënyrën “e paarsyeshme dhe fyese” me të cilën u trajtua.
“BBC” njoftoi se policia në Sri Lanka arrestoi Caroline Jurie dhe modelen Chula Padmendra si pasojë e incidentit, me akuzat e lëndimit të thjeshtë dhe kauzës kriminale.
De Silva tani është ri-kurorëzuar, pasi u vërtetua se ajo nuk ishte e divorcuar (por e ndarë) dhe organizatorët e konkursit kanë thënë se presin që Jurie të kërkojë falje publike.
Organizatorja kryesore e konkursit, Chandimal Jayasinghe, tha për “BBC”:
“Ne jemi të zhgënjyer. Ishte e turpshme se si Caroline Jurie u soll në skenë dhe organizata ‘Mrs World’ tashmë ka filluar një hetim mbi këtë çështje.”
Konkursi i bukurisë “Mrs Sri Lanka” është një konkurs i madh në vend. Gruaja e Kryeministrit ishte mes të ftuarve në ceremoni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: