10 artistë nga Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Gjermania janë bërë pjesë e një projekti të përbashkët artistik që sjell “Missing stories”, historitë e humbura të individëve që vuajtën gjatë pushtimit nazist në të 4 vendet.

Adela Demetja nga Tirana Art Lab, kuratore e ekspozitës, thotë se u ftua nga Instituti Gëte në Beograd për ekspozitën.
“Projekti synon të gjejë historitë e këtyre individëve që kanë vuajtur gjatë saj periudhe dhe që janë harruar. Këto sjellin edhe ndikimin që këto ngjarje historike kanë pasur te këto individë dhe familjet e tyre.
Ekspozita është trajtuar nga ana personale sepse donim t’i iknim historicizmit të madh që shpesh i lë historitë njerëzore, jashtë trajtimit”, tha Demetja.

Gra me flokë të qethur, rrëfime të të mbijetuarve nga Mathausen a kampe të tjera pune, shkallët e dhembjes që ngjiteshin përditë, nevoja për të harruar dhe domosdoshmëria e kujtesës vijnë përmes rrëfimeve të dorës së parë, dhe përmes zërit të pasardhësve, bashkë me dilemat dhe reflektimin.

“Kosta Çina është stërgjyshi im, ka ardhur nga një bisedë me babain tim, që më tregoi një bisedë në lidhje më luftën dhe me atë që ka ndodhur gjatë kohës së luftës. Nuk flitet vetëm për Kosta Çinën, por edhe për vendimin që ka marrë më vonë, për ta deklaruar atë si viktime a martir të luftës apo jo”, thotë artistja Donika Çina.

Çina u vra në Tiranë nga nazistët dhe dilemat pasqyronin frikën për përballjen me regjimin. Gjithaq vjen e qashtër vuajtja si nga nazistët edhe nga komunistët, përmes personazhit të elektricistit.

“Ai ishte partizan gjatë luftës në Prizren. Abedin Destani, çohet në kampet e përqendrimit dhe kur kthehet arrestohet si kolaboracionist”, tha Remijon Pronja.
Ekspozita që do jetë e çelur deri më 20 gusht sjell edhe histori nga Mali i Zi dhe Serbia përmes gjuhëve të ndryshme artistike, nga ora e rërës me bukë e tallash te historitë e poetëve që u vranë. Nuk mungojnë as portrete grash që e ruajtën dinjitetin deri në fund.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb