Ka ngritur pikëpyetje një ndryshim në datën e lindjes së kardinalit Philippe Ouédraogo, i cili sipas Annuario Pontificio 2024 ishte i lindur më 25 janar 1945, ndërsa në botimin e 2025-s rezulton më 31 dhjetor 1945.

Ky ndryshim nuk është thjesht formal: duke e shtyrë datëlindjen me 11 muaj, kardinali nga Burkina Faso ruan të drejtën për të votuar në Konklavën e ardhshme, pasi kufiri për pjesëmarrje është 80 vjeç.

Sipas vetë Ouédraogo, në fshatin e tij nuk kishte regjistrim zyrtar të lindjeve. Data e parë ishte vendosur rastësisht kur hyri në seminar. Ndërkohë, pasaporta e tij tregon datën 31 dhjetor – një praktikë e zakonshme në Burkina Faso për ata që nuk kanë një datë të saktë lindjeje.

Ende nuk është e qartë pse ky ndryshim u bë pikërisht tani. “Mund të jetë paraqitur një dokument i ri”, komentoi shkurt drejtori i Zyrës së Shtypit të Vatikanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb