Arlen Hasanaj, 34-vjeçari që është arrestuar ditën e djeshme se dyshohet si autori që vuri të hënën eksplozivin në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armand Duka, nuk ka pranuar akuzën. Ai nuk ka pranuar të flasë për asgjë tjetër, përveçse ka thënë se është arrestuar kot nga autoritetet.

34-vjeçari Arlen Hasanaj, i cili rezulton pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar, më konkretisht i kompanisë ‘Euroshop Durrës’.

Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për biznesin, kur inspektorët e Tatimeve ushtruan kontroll në ambientet e kompanisë së Dukës, ku thanë se kanë pasur denoncim nga një klient i pakënaqur, që mendohet të jetë ‘Euroshop Durrës’. Pikërisht ky klient i pakënaqur dyshohet të jetë 34 vjeçari Arlen Hasanaj, i cili është edhe pronar i një dyqani vetëm 500 metra larg nga shtëpia e Dukës në Durrës, pikërisht aty ku dje vendosi lëndën plasese.

Policia pretendon se ka ndjekur të gjitha veprimet e të riut. Ai ka ardhur nga rruga e portit, drejt në lagjen nr. 4., ku ndodhet edhe banesa e kreut të federatës.

Pasi ka marrë lëndën plasëse në një apartament, ai është drejtuar për nga shtëpia e teksa ka konstatuar mosprani njerëzish, ka vendosur kallëpin me tritol në portën hyrëse të banesës dhe është larguar me shpejtësi. Pikërisht, kamerat më pas, kanë fiksuar lëvizjet e të riut e për këtë fakt, policia thotë se ka arsye të besueshme se është pikërisht Hasanaj autori i këtij krimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb