ELBASAN- Katastrofë mjedisore në një rezervuar të njohur si “Gjoli i Mukjes” në Cërrik. Qindra kuintalë peshq dhe gjallesa të tjera janë gjendur të ngordhur në breg të këtij liqeni.

Vuajtja e peshqve ka qenë aq e madhe, sa disa prej tyre janë përpëlitur duke dalë nga liqeni dhe kanë ngordhur disa metra larg ujit, raporton infoelbasani.al.

Gazetari Fatmir Popja ka siguruar për “BalkanWeb” pamje nga liqeni ku duken peshqit e ngordhur. Sipas specialistëve, nuk bëhet fjalë për vrasje me dinamit, apo lëndë kimike, por për një lloj asfiksie me natyrë të panjohur.

Dyshohet se peshqit kanë pasur mungesë oksigjeni, për shkak të një lënde të panjohur të çliruar në ujë në formë gazi apo shëndërrimi kimik. Kjo e kushtëzuar nga temperatura mjaft e lartë e tokës, thatësira e tejzgjatur dhe mungesa e reshjeve.

Gentian Xhelili administrator i rezervuarit thotë për “BalkanWeb” se në rezervuarin e Mukjes në njësinë administrative Shalës kanë ngordhur mijëra peshq gjatë ditëve të fundit.

Sipas tij, dyshohet se shkak është rënia drastike e nivelit të ujit dhe mbizotërimi i temperaturave mjaft të larta. “Në rezervuar ndodhen të paktën 20 mijë peshq që rrezikohet të ngordhin pasi niveli i ujit vazhdon të ulet dita-ditës”, thotë ai. Administruesit e rezervuarit të Mukjes i cili është në pronësi të bashkisë së Cërrikut, rrezikojnë të pësojë një dëm me vlerë 20 mln lekë.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët të mjedisit të cilët kanë marrë mostrat dhe i kanë dërguar për ekzaminim në laborator. Dëmi ekonomik është mjaft i madh, por mbi të gjitha i pallogaritshëm konsiderohet dëmi mjedisor pasi presupozohet se, veç peshqve, në liqen nuk ekziston më asnjë gjallesë, çfarë nënkupton se aty nuk ekziston më faunë dhe ai është thjesht një gjol i vdekur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb