Është ditë e diel. 16 korrik 2006. Gramoz Pashko sëbashku me familjen janë me pushime në Himarë. Konkretisht ata ndodheshin në vendin e quajtuar “Rrugët e Bardha” në fshatin Palasë. Në një plazh të veçuar rreth 2.5 km nga rruga automobilistike Himarë – Vlorë.

Që në orët e para të mëngjesit ata i janë drejtuar detit sëbashku me disa miq të tyre. Pasi kanë qëndruar disa orë janë futur në det për t’u larë disa persona, mes të cilëve dhe Gramoz Pashko. Vendi ku ata po laheshin ka qenë plot me shkëmbinj. Të tjerët kanë dalë nga uji, ndërsa Pashko ka vazhduar të notojë dhe disa minuta më vonë. Në një moment ai ka hipur në një shkëmb, nga ku dhe ka përshëndetur me dorë personat që ishin me të.

Kishin kaluar rreth 30 minuta dhe ai nuk po dukej më. Familjarët të shqetësuar kanë nisur ta kërkojnë. Me vështirësi kanë dalluar midis shkëmbinjsh e dallgësh trupin e tij përmbys, me fytyrë në ujë. Kanë ndërhyrë me vështirësi sepse deti kishte dallgë.

Ata kanë arritur ta nxjerrin nga deti në një terren të vështirë. Lartësia e shkëmbinjve ka qenë rreth 3 metra dhe për ta nxjerrë nga andej duhej litar dhe barelë.

Eva Dibra mjeke e përgjithshme në profesion dhe në të njëtën kohë mike e ngushtë e familjes ka qënë e para që i ka dhënë ndihmën mjeksore. Për herë të parë ajo rrëfen për Inside Story, tmerrin që kanë përjetuar në ato momente

“Ishte një moment traumatik, nuk e gjeta unë por im bir që kishte rënë përmbys, thirri thirri, dhe shkuam im shoq dhe pastaj unë. Ishte gjiri i vogël dhe me shkëmbinjë aty në Palasën e vogël, e nxorrëm ja ashtu ishte një shkëmb pak i pjerrët dhe filluam ti bënim frymarrje artificiale dhe masazh zemre. Zemra filloi me punu por frymëmarrja është ashtu si superficiale mushkritë të mbushura me ujë, gjendja ishte shumë e rëndë. Zgjati ajo frymmarrja deri sa erdhi helikopteri. Erdhi dhe i biri se ishte në Himarë. Ishte një tmerr sdi ctë them, një tmerr” u shpreh mjekja që asistoi, Eva Dibra.

U zhduk mes shkëmbinjve për minuta të tëra, si humbën kontaktet familjarët me Pashkon

Gramoz Pashko kishte mbijetuar në ujë për minuta të tëra. Ishte një mrekulli që ai u gjet i gjallë, edhe pse kishte pak shpresa që tja dilte. Ndihma e parë që iu dha nga njerëzit e tij e mbajti në jetë. Miqtë njoftuan të birin Rubenin që ndodhej në Himarë dhe u përgatit transporti drejt Tiranës.

“Gjetëm një doktor, atë të Dhërmiut dhe e morëm dhe kur arritëm në vend Gramozi nuk ishte mirë kuptohej, kishte ndenjur shumë në ujë. Momenti i fundit sa ka ardhur helikopteri ishte Gramozi i shtrirë, Rubeni që i mbante kokën dhe unë që mbaja çadrën se ishte diell dhe Rubenin që të mos batohej” u shpreh miku i Rubenti, Redi Mazi.

“Për mua ka qënë fiks si një film horror, kam akoma dhe sot një breng që nuk isha pranë Rubenit në atë moment, nuk isha se kishim shoqëri të ndryshme” u shpreh Bers Hado, i afër i Ruben Pashkos.

Sipas kronologjisë së dosjes hetimore rezulton se rreth orës 13:40 është njoftuar rajoni i Policisë së Himarës se shtetasi Gramoz Pashko ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe familjarët e tij kërkonin ndihmë urgjente mjekësore. Pas njoftimit të bërë aty kanë shkuar mjeku Jani Gjoka dhe shefi i rajonit të Himarës. Ndërkohë që familjarët janë munduar ti bëjnë frymëmarrje artificiale e masazhe të zemrës, ai ndodhej në gjendje kome të thellë dhe kishte frymarrje të çrregullt.

Trupi i Pashkos ishte midis shkëmbinjsh, në buzë të detit pa ndjenja, i rrethuar nga familjarët, miq dhe shokë që ndodheshin me të. Kur u afrova, ai nxirrte shkumë nga goja dhe nga hunda, si dhe kishte rrahje të shpejta të zemrës. Në pjesën midis dy syve kishte një plagë, një të çarë, e cila me sa duket i kishte shkaktuar traumë cerebrale. Së bashku me mjekun e Dhërmiut, i cili kishte mbërritur para nesh, i dhamë ndihmën e nevojshme. Me personat që ndodheshin aty e vendosëm në barelë dhe me litar, me vështirësi të madhe e kemi nxjerrë nga shkëmbinjtë. Na u desh rreth 20 minuta përpjekje, pasi terreni ishte shumë i vështirë dhe gjithë shkëmbinj.

Pa humbur kohë mbërrin helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë në vendngjare. Nën shoqërimin e mjekut të ambulancës Dhërmi, Kozma Çipa dhe të bashkëshortes, helikopteri me pacientin Gramoz Pashko, niset për në QSUT. Rreth orës 16:25 pacienti është çuar në reanimacionin e Kardiokirurgjisë së spitalit. Sipas kartelës së pacientit që Inside Story zotëron, nga mjekët aty është përjashtuar fillimisht mundësia e ndonjë infarkti. Më pas është realizuar skaneri i kokës, prej të cilit u përjashtua çdo dëmtim.

Nga mjekët u konkludua se mushkritë e pacientit ishin të mbushura me ujë. Pasi parametrat e tjerë u stabilizuan mjekët në bashkëpunim me familjarët vendosën që të dërgohej për kurim jashtë vendit. Konkretisht do të trajtohej në spitalin e Barit në Itali.

Transporti i tij duhet të bëhej sa më shpejtë. Aty të pranishëm kanë qënë kryeministri i atëhershëm Sali Berisha dhe ai sygjeroi që transporti të bëhej me helikopterin qeveritar Bell 222.

Momentet e fundit, si u zhduk helikopteri qeveritar me 6 persona në bord

Pas disa përpjekjeve për të ardhur në kontakt me ekuipazhin e helikopterit nis kërkim shpëtimi. Tashmë ishte e qartë se gjëma kishte ndodhur. Helikopteri Bell 222 me gjashtë persona në bord kishte pësuar aksident, duke u zhytur në ujërat e detit Adriatik.

“Ishim mbledhur në shtëpi dhe më duket vëllai e mori vesh i pari Genci që nuk po përgjigjej helikopteri por nuk ja thanë Mozës se ishte një tmerr. Se nuk ishte vetëm Gramozi që ishte përgatitur, por ishte edhe i biri. Një tmerr i paparë, tragjedi shumë e madhe i thanë ‘nuk përgjigjet’ pastaj i thanë që ‘ska më helikopter’” u shpreh mjekja e familjes, Eva Dibra.

Hipotezat e ekspertëve vërtiteshin rreth iluzionit optik që mund të kishte piloti ose shkaktar ka qenë ndonjë turbulencë ajri vertikale. Iluzionet optike që kanë pilotët kanë të bëjnë me mos qartësimin e horizontit. Deti dhe qielli janë të ngjashëm aq më shumë kur fluturon natën. Kjo mund të bëjë që piloti të humbas lartësinë dhe të rrëzohet. Turbulencat ajrore vertikale tërheqin drejtë tokës ose detin mjetin fluturues. Pavarësisht rrethanave, tashmë kemi tragjedi në 5 familje.

Në secilën prej tyre janë hapur dyert e mortit edhe pse s’duan të humbasin shpresat se mund të jenë gjallë. Tragjedia më e rëndë është në familjen e Gramoz Pashkos. Bashkë me të ka humbur jetën edhe djali i vetëm i tij 24 vjeçar. Nuk besoj se dikush gjenë fjalët për të ngushëlluar një nënë që humbet në të njëjtën ditë djalin e vetëm dhe bashkëshortin.

Nuk është aspak e lehtë as për familjen e mjekut 40 vjeçar Aleksandër Baloi. Edhe pse ishte në një ditë pushimi ai u thirr më urgjencë për të shoqëruar pacientin në Itali, për shkak të aftësive që kishte si mjek. Vetëm dy ditë para aksidentit ai kishte arritur të përfundonte studimet master me rezultate shumë të mira. Tragjedia ka pllakosur edhe në familjet e dy pilotëve dhe të inxhinierit teknik të helikopterit. Ata lanë fëmjët jetim dhe familjarët të zhytur në zi.

Tragjedia me 6 viktima, helikopteri që transportonte Pashkon nuk kishte çertifikatë të vlefshmërisë ajrore

Tani le të zbulojmë dosjen hetimore të kësaj tragjedie. Inside Story ka analizuar me detaje çdo faqe të kësaj dosje voluminoze. Në atë kohë Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë hetimin për të zbuluar shkaqet e aksidentit ajror që ju mori jetën 6 personave.

“Aksidenti i Pashkos është një ngjare e pazbardhur në gjykimin tim dhe e mbuluar me shpejtësi, për mua” u shpreh inxhinieri, Arben Meçe.

Sipas hetimeve të prokurorisë rezultonte se helikopteri Bell 222 nuk ka patur certifikatë të vlefshmërisë ajrore për udhëtimin në Itali. Nuk është lëshuar kjo certifikatë. Sipas fotokopjes së certifikatës së këtij helikopteri i është dhënë një vlefshmëri e kufizuar për tre muaj. Për të shkuar jashtë shtetit, për të qëndruar dhe për tu kthyer nga baza e mirëmbajtjes dhe riparimeve.

Referuar dokumenteve zyrtarë helikopteri është pajisur me këtë certifikatë nga data 29 mars deri në 29 qershor 2006. Kjo vlefshmëri është përdorur për të çuar helikopterin për riparime në bazën e vetme të riparimeve në Gjermani. Ndërsa ditën që helikopteri është ngritur në fluturim drejtë Italisë, ka qenë pa këtë dokument.

Ky helikopter kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1986, që atëherë është përdorur për transportin e personaliteteve. Sipas dëshmisë së ish komandantit të këtij helikopteri përjashtohet çdo mundësi që mjeti të ketë patur probleme pasi sapo ishte kthyer nga shërbimet. Por një rregullore e përmendur prej tij do të ngrenë dyshime sa i përket aksidentit tragjik.

Sipas rregullores së forcave ajrore është përcaktuar se pilotët që marrin pjesë në fluturim ditën nuk lejohet që të planizohen për fluturim natën. Ose duhet që të kryejnë 6 orë pushim dhe të bëhen gati për fluturim.

Sipas kronologjisë së ngjarjes rezulton se atë ditë ekuipazhi i helikopterit kishte fluturuar drejt Pogradecit e më pas ishte kthyer në Tiranë. Ky fluturim është bërë për ish kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha. Sipas deponimeve të dëshmitarëve pilotët nuk kanë mundur të pushojnë as dy orë dhe janë thirrur për fluturimin urgjent. Më datën 16.7.2006 kam qënë me shërbim pranë zyrës së informacionit në Gardën e Repubikës. Ka qënë ora 18:00-18:15kur më është dhënë detyrë që me mjetin e gatshëm të shkoja në Laprakë, tek fusha e helikopterve dhe të shoqëronte pilotët në shtëpi. Më pas në orën 19:30 më është njoftuar që të marrë pilotët dhe ti çojë te fusha e helikopterve.

Pra rezulton se pilotët nuk kanë mundur që të pushojnë 6 orë siç është parashikuar në rregulloren e Aviaciontit Civil. Ndërkohë që shkelja tjetër ka të bëjë me atë që përcakton rregullorja se kush ka fluturuar ditën nuk duhet të fluturojë natën.

Pilotët e helikopterit që transportonte Pashkon të pa trajnuar për fluturime natën

Dëshmi të tjera të zbardhura nga dosja voluminoze hedhin dritë mbi faktin se si pilotët shmangnin fluturimet natën. Ata kërkonin gjithmonë që udhëtimet të kryheshin ditën duke qënë se Shqipëria nuk kishte infrastrukturën e duhur ajrore.

Sipas një bisede që kam patur me komandantin e helikopterit Bell 222 ai më ka thënë se për fluturimet natën të cilat ai i quante Instrumental Flight Rules, ai dhe piloti tjeter nuk kishin kryer kursin e nevojshëm të trajnimit. I cili duhej të kryhej nga instruktorë të licensuar.

Një tjetër dëshmi që shton akoma më shumë dyshimet vjen edhe nga kontrollori i aftësive të pilotit. Gjatë kohës që kam qënë unë në atë detyrë kam kontrolluar aftësistë e pilotit Vangjel Çondi. Ky pilot ka qënë I licensuar vetëm për fluturimet VFR.

Me kërkesë të pilotit Çondi fluturimet natën janë shmanguar ashtu si raste urgjente apo të programuara. Pra edhe sipas kësaj dëshmi rezulton se pilotët nuk kanë qënë të licensuar për fluturime natën. Duke mos harruar të theksojmë se pilotët që kishin fluturuar ditën janë nxjerrë përsëri në fluturim pa pushuar 6 orës, sipas rregullores./Tch

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb