Stafi i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” udhëtoi drejt Mitrovicës në veri të Kosovës. Dy vëllezër njëri 23 dhe tjetri 18 vjeç vuajnë nga e njëjta sëmundje që ua vështirëson jetën çdo moment. Besnik Haxha është 23 vjeç, studion për inxhinieri dhe teknologji ushqimore. Jeta e tij nuk është aspak normale si e moshatarëve. Kurrizi i tij është i deformuar frikshëm nga skolioza.

“Kam dhimbje, kam shumë dhimbje, me merret fryma, me zor eci. Nuk kam një jetë normale. Prej 10 vitesh, vuaj nga deformimi i shtyllës Kurrizore. Më dhemb shpina, më dhemb shumë, çdo ditë që kalon deformimi shtohet. Nuk rri dot shumë në këmbë, as ulur, nuk eci dot gjatë, edhe kur shtrihem sërish kam dhimbje”, -thotë 23-vjeçari.

Mjekët i kanë thënë Besnikut se mund të humbi edhe jetën nëse nuk kryen ndërhyrje të komplikuar në shtyllën kurrizore. U ka kërkuar prindërve ta operojnë por ata nuk kanë të ardhura pasi i ati i tij është i papunë.

“Mjekët më kanë thënë që duhet të bëhem operacion sa më parë, përndryshe do të më bllokohet frymëmarrja, mund të humbas edhe jetën. Më kanë thënë që është operacion shumë i vështirë, por nuk trembem, kam më shumë frikë se nuk do të mund ta bëj dhe do të ngelem përgjithmonë kështu. U kam kërkuar prindërve që të bëhem operacion, por nuk kemi para, madje as nuk e dimë se sa kushton. Ajo që dimë është se nuk kemi asnjë të ardhur, me zor shtyjmë muajin. Babai punon në ndërtim me ditë, kur gjen punë. Tani dimri po ofron dhe punë nuk ka. Nuk e dimë as se si do ta kalojmë këtë dimër. Njerëzit me shohin ndryshe. Dikush trembet, dikush më sheh me keqardhje, dikush me mëshirë. Çdo herë kur eci nëpër rrugët e qytetit tim, mendoj a do të mundem edhe unë një ditë të eci drejt, a do të më pushojnë një ditë këto dhimbje të tmerrshme? Ndonjëherë e humbas shpresën, ndërsa shpeshherë mendoj dhe i lutem Zotit ndoshta del dikush që të më ndihmojë! Nuk e di, nuk e di si do të jetë jeta ime, por kështu siç jam nuk mundem më. Ky është fati im dhe çka vjen prej Zotit mirë se vjen, por unë dua të jetoj, Ju lutem më ndihmoni të jem edhe unë si të tjerët”, -shprehet Besniku.

Edhe vëllai i Besnikut, Lendriti vuan nga deformimi i shtyllës kurrizore. Fati është treguar mizor me dy vëllezërit pasi vuajnë nga e njëjta sëmundje. Ëndrra e Lendritit është të bëhet një oficer policie por kjo mbetet një ëndërr në sirtar pasi askush thotë 18-vjeçari nuk do pranonte një polic me t probleme fizike.

“Quhem Lendrit Haxha, jam 18 vjeç, ashtu si edhe vëllai im vuaj nga shtylla kurrizore. Çdo dite e me shume deformimi shtohet. Ëndrra ime për tu bere polic u shua. Askush nuk do ta pranonte një polic me te meta fizike. Kjo barrë e rëndë më është bere pengese për gjithçka, nuk marr do frymë, nuk vrapoj, nuk eci dot për shumë kohë. Ndihem ndryshe. Ne fakt, te dy jemi ndryshe. Jemi dy njerëz me probleme fizike, te varfër dhe te pamundur për tu shëruar”, – thotë 18-vjeçari Lendriti. Dy operacionet e vëllezërve kushtojnë në total 50.000 euro pra 25.000 euro secili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb