TIRANE- Nën tingujt e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje për heroin filloi në stadiumin e Mitrovicës ceremonia në nderim të Isa Boletinit. Arkivoli me eshtrat e heroit u shoqërua nga garda e FSK-së. Isa Boletini do të prehet sot e përgjithmonë në Boletin të Mitrovicës.

Të pranishëm ne ceremoni janë kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, Princ Leka me bashkëshorten, Presidenti i Shqiperise Bujar Nishani dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij gjatë hapjes së ceremonisë së rivarrimit të Isa Boletinit tha se heronjte kthehen te fundit nga beteja.

“Boletini po kthehet sot i fundit nga beteja e madhe per lirinë e Kosovës, një shekull zgjati kjo betejë nga Kaçaniku në Boletin. Kosova më në fund u bë e lirë, por kësaj lirie i mungonte diçka, i mungonte heroi i saj i madh, tribuni popullor Isa Boletini”, theksoi Veseli, duke shtuar se ne sot jemi të lirë, por kishim mall për ty.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në fjalën e tij theksoi se “sot në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit po nderojmë heroin e kosovës, tribunin e kombit shqiptar, Isa Boletinit, ashtu si ndodh gjithmonë me njerëzit e epokave edhe Isa ynë bëhet urë bashkimi për ne të gjithë pavarësisht nga bindja jonë politike apo prejardhja jonë rajonale. Përtej ngushtësive të pragmatizmit politik Isa Boletini ishte njeri i idealeve madhore kombëtare, duke qenë i këtyre përmasdave ai na bashkon edhe sot ditën kur po mbyllet udhëtimi i tij gjatë pothuajse shekullorë drejt Boletinit të tij aty ku lindi dhe ku e pret toka e tij vendi, i cili nga sot do të bëhet një panteon i ri i shqiptarizmit , një vend i shenjtë ku të gjithë ne do të përkulemi me nderim”.

“Isa Boletini po i kthehet sot vendlindjes, pasi ka udhëtuar në qendrat kryesore kosovarenëpër të cilat përcoi mesazhine unitetit dhe dashurisë pa kushte mes vëllezërve te nje gjaku e një gjuhe mes vëlllezërve të një fati e një ëndrre”, nënvizoi Mustafa.

Në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se “Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare, janë shndërruar në faktorë të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan”.

“Shqipëria evropiane, Kosova evropiane, Kosova anëtare e OKB-së dhe në NATO, Ballkani evropian, janë mundësia dhe çasti ynë historik”, theksoi presidenti shqiptar në manifestimin e madh në Mitrovicë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa në fillim të fjalimeve të tyre përshëndetë edhe pjesëmarrjen e kryetarit të PD-së, Lulëzim Basha, i cili po ashtu mbajti fjalë rasti, si dhe të Princ Lekës.

Pjesë e manifestimeve sot paradite në Mitrovicë ishte edhe seanca e veçantë e Kuvendit të Komunës jugore, në të cilin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, “në kohë të vështira për vendin dhe kombin, Isa Boletini u vu në ballë të lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi”.

“Me fuqinë e fjalës së tij ai udhëhoqi shumë kuvende për çështjen kombëtare dhe me guximin e tij prej komandanti popullor udhëhoqi shumë beteja, nga Kaçaniku deri në Shkup, nga Shkodra deri në Vlorë. Në vjeshtën e rëndë të viti 1912, Isa Boletini u nis nga malet e Kosovës për t’u vënë në mbrojtje të shtetit shqiptar të sapo shpallur në Vlorë”, theksoi kryeparlamentari kosovar, Veseli.

Ai vuri në dukje rëndësinë e rrolit të Isa Boletinit në mbrojtjen e çështjes kombëtare, angazhimin e tij të pandalshëm në diplomacinë dhe rrjedhat ndërkombëtare ku prekej interesi nacional si dhe aktivitetet e tij diplomatike jashtë vendit, duke e bërë kombin, Kosovën dhe Mitrovicën krenare.
Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në ditën e 137 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kthehet sot përgjithmonë të prehet në Boletin, vendin e lindjes në rajonin e Mitrovicës në Kosovë, prej nga para më shumë se 100 viteve me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë të Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

Ceremonitë shtetërore manifestimet treditëshe në Kosovë të nisura në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në Prizren, qytetin më të madh jugor, përmbyllen sot në qytetin më të madh verior, Mitrovicë, prej nga kortezhi niset edhe më tej në veri. Deri në Boletin, nga Mitrovica, arkivoli i Heroit Kombëtar Isa Boletini do jetë në shoqërim të familjarëve dhe të ftuarëve që do marrin pjesë edhe në ceremoninë e rivarrimit në orën 15:00.

KUSH ISHTE ISA BOLETINI
Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës, në vitin 1864. U vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Mal të Zi, Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, në 23 janar 1916.

Në vitin 1998, institucionet e Kosovës të lëvizjes për liri e pavarësi, të informuara se në vendin e varrezave në Podgoricës do të ngriheshin ndërtesa banimi, vendosën për një organzim që fshehurazi të sjellin në Mitrovicë eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëluftetarëve të tij për t’i ruajtur në fshehtësi, në rrethanat e rënda të okupimit e të luftës. Mëse 17 vite eshtrat qëndruan në thasë për shkakun e vetëm se familjarët e Isës donin që rivarrimi të bëhej me ceremoni ushtarake.

Garda Kombëtare Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës është pjesë e manifetimeve treditëshe në nderim të Heroit Kombëtar Isa Boletini, që dje u zhvilluan edhe në kryeqytetin e Kuvendin e Kosovës e zhvillohen edhe sot në Mitrovicë.

Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas seancës së veçantë kushtuar jetës dhe veprës së heroit kombëtar, Isa Boletini, dje pasdite bënë homazhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, deputetët dhe qytetarët.

Të parët bënë homazhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, duke vendosur kurorë me lule. Homazhe per nder te Boletinit beri edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Homazhet në Kuvendin e Kosovës nën tingujt e orkestrës “Rexho Mulliqi” vazhduan deri në orën 17:45. Nga kryeqyteti Prishtina kortezhi u nis drejt Mitrovicës.
Manifestimet për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini mbahen me moton “Prapë, na erdhi Baca Isë”.


Mustafa: Kthimi i eshtrave, detyrimi im

Kryeministri Isa Mustafa pasi vlerësoi figurën e heroit Isa Boletini theksoi se kthimi i eshtrave të tij ishte një detyrim. Mustafa u shpreh se veprat e Isa Boletinit do të jenë frymëzim për brezat e rinj. “Isa Boletini po i rikthehet vendlindjes pasi ka udhëtuar simbolikisht në qendrat kryesore të Kosovës. Brezi i Isa Buletinit luftoi me ëndrrën e lirisë për të gjithë shqiptarët.”- u shpreh Mustafa.

Veseli: Heronjtë kthehen të fundit nga beteja
Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se heronjtë kthehen të fundit nga beteja dhe i tillë është edhe heroi Isa Boletini.
“Rehatohu baca Isë, se Kosova dhe Shqipëria janë mirë”, u shpreh Veseli.

Nishani: Isa Boletini frymëzues i lirisë së shqiptarëve
Presidenti Bujar Nishani e cilësoi Isa Boletinin frymëzues të lirisë së shqiptarëve. Ai e cilësoi ceremoninë në nderim të heroit historike. “ Na ka munguar ky altar i lutjes kombëtare në Boletin të Mitrovicës. Panteoni pa të do ishte i gjymtuar. Ndërgjegjia jonë e trazuar, kujtesa e paqenë, mirënjohja e paplotë. Sot e kemi dhe ndihemi më të fortë sepse Isa Boletini ishte dhe mbetet simbol i amzes shqiptare në kohë. Sot e kemi dhe ndihemi më krenarë sepse Isa Boletini ishte krenaria shqiptarë në orët më tragjike të Shqiptarisë. Sot e kemi për të kujtuar mbi të sakrificat dhe gjakun derdhur të mijëra dëshmorëve që dhanë jetën që shqiptarët të mbeten të qëndrojnë të ringrihen, të fitojnë të drejtat e tyre kombëtare. Isa Boletini është kryedëshmori ynë. I rrëfehemi Isa Buletinit se shqiptarët kanë dy shtete të pavarura në Ballkan.”- u shpreh Presidenti Nishani.

Basha: Sot amaneti dyfish i përmbushur, baca Isë prehet në Kosovën e lirë
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha theksoi se sot amaneti është dyfish i përmbushur. “ Nga sot Baca Isë do prehet në Kosovën e lirë. Ai është besë e një kombi nga Mitrovica deri në Vlorë. Isa Boletini është mes nesh siç e meriton”- u shpreh Basha.

Fjala e kreut të Partisë Demokratike dhe kryebashkiak i Tiranës Lulzim Basha në ceremoninë e rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit.

“Z. kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. kryeministër i Kosovës, z. president i Republikës së Shqipërisë, të nderuar zotërinj, anëtarë të qeverisë dhe kuvendit të Kosovës, zotërinj ambasadorë, të dashur e të nderuar anëtarë të familjes Boletini, i nderuar pasardhës i Ismail Bej Vlorës, bashkëngjitur në këtë ceremoni, krah për krah familjarëve të Isa Boletinit si 100 vite më parë, të dy Isa-t ishin të bashkuar, si dy kokat e shqiponjës sonë kombëtare, i nderuar z. ish-president, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, i nderuar princ Leka, fort i nderuar kryetar i Mitrovicës e prej mbrëmjes së djeshme edhe kryetari im Agim Baftiri, të nderuar bashkëqytetarë, rini e Mitrovicës! Jam me fat dhe shumë i nderuar të jem sot këtu bashkë me ju e me çdo shqiptar tjetër që ndonëse nuk është fizikisht, është sot me zemër në Mitrovicë për të nderuar këtë burrë të madh të kombit tonë, për tu përulur me nderim, mirënjohje dhe respekt përpara Isa Boletinit dhe veprës së tij të pavdekshme. Nga sot, baca Isë do të prehet në tokën e tij, në kullën e tij të pamposhtur, në Kosovën e lirë. Sot, Mitrovica dhe familja Boletini realizojnë amanetin e tij që është amaneti i çdo shqiptari, për tu prehur në vendlindjen e tij, por sot ky amanet është dyfish i përmbushur, sepse Isa Boletini prehet në Kosovën e pavarur, në Kosovën e lirë, në Shqipërinë e lirë e të pavarur siç e deshi e për të cilin u sakrifikua ai dhe familja e tij”,tha ai.

“Isa Boletini lindi për të mbetur i pavdekshëm në altarin e lirisë. Burra si ai lindin rrallë dhe janë përjetë mes nesh! Ata janë gjeneza dhe tapia historike e Pavarësisë! Që në moshën 17 vjeç, Isa Boletini kishte filluar të ishte pjesë e historisë së Kosovës martire dhe gjithë kombit shqiptar, me pjesëmarrjen e tij të parë në betejat e Lidhjes së Prizrenit, 137 vjetorin e së cilit përkujtojmë sot.

Pavarësia e Shqipërisë kujtohet pazgjidhshmërisht e lidhur me emrin e Isa Boletinit, kreshnikut që me 400 trimat e tij më të mirë mbrojtën pavarësinë mbarëshqiptare, asokohe ende e brishtë si një foshnjë. Ata mbrojtën qeverinë e Ismail Bej Vlorës si garda e parë shqiptare e shtetit të parë modern shqiptar, në vitin e trazuar 1912.Në këtë qytet, në Mitrovicë, Mitrovicën tuaj, Mitrovicën time e të gjyshit tim, shpesh Porta e Lartë, Krajlia e të tjerë pas tyre kanë sjellë më shumë asqerë e milicë, se sa vetë qyteti kishte banorë. Kishin frikë e tmerr nga Isa Boletini, nga tradita e tij madhështore që la pas, deri tek heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye komandantin legjendar, Adem Jashari. (Baca Rifat, të përshëndes!). Iu blatuan Isës e iu premtuan ar e prona, çifligje e tituj por ai nuk i ndërroi kurrë ato me gurët e Boletinit, sepse kish besë dhe i kishte dhënë besë një kombi të tërë, nga Mitrovica në Vlorë.Kulla e Isës dhe gurët e saj të mëdhenj farkëtuan qëndresë e më vonë farkëtuan dije përmes shkollës shqipe të ngritur aty në vitin 1899, farkëtuan zgjim dhe vetëndijësim kombëtar, frymëzim. Një kullë e djegur gjashtë herë dhe e rindërtuar për të shtatën. E rrethuar, e bombarduar dhe e djegur por askush, as dje, as sot dhe as nesër nuk mund ta çrrënjosë! Nga sot, kjo kullë do të jetë prapë e plotë, me të gjithë burrat e saj si njëherë e një kohë. Isa Boletini do të prehet aty, bashkë me bijtë e tij e trimat e tjerë të familjes Boletini që dhanë jetën për këtë tokë. Ne do kthehemi te kulla e Isa Boletini për të marrë forcë, guxim, kurajo dhe vendosmëri për të çuar përpara vendin tonë, popullin tonë e për t’i dhënë atij të ardhmen që meriton, për ta plotësuar deri në fund, pa asnjë mëdyshje e me çdo sakrificë amanetin e Isa Boletinit. Ndihem krenar që jam sot këtu bashkë me ju, që kam gjak si gjaku i tij, që jam shqiptar e bashkëkombas i tij! Jam i lumtur që më së fundi ne do të përulem mbi varrin e tij e do të vijmë te kulla e tij për t’u treguar brez pas brezi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, me krenarinë legjitime të çdo shqiptari se kush ishte ky burrë i madh i kombit tonë, ky kreshnik i pamposhtur, kush ishte Isa Boletini, do të shohim e prekim madhështinë dhe forcën e kullës së tij. Isa Boletini nga sot e tutje do të jetë mes nesh siç e meriton, siç është në nderin tonë, siç ishte dhe është amaneti i tij që s’e treti as dheu”.

 

 

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: