BURREL- Rritet rrezikshmëria për aksidente në segmentin rrugor Burrel-Skuraj, pjesë e aksit nacional Peshkopi-Tiranë. Prezenca e ngricës në rrugë dhe mos marrja e masave si pasojë e mungesës së një kompanie për mirëmbajtjen e rrugës, është kthyer në një problem serioz për drejtuesit e automjeteve.

Kjo shoqërohet edhe me amortizimin e rrugës në disa pjesë të saj, ndërsa prej disa ditësh stresit të udhëtarëve i shtohet edhe mjegulla e dendur në orët e paradites.

Drejtuesit e mjeteve apelojnë për ndërhyrje, pasi sipas tyre rrezikojnë seriozisht jetën çdo ditë, e mungon çdo lloj parametri për një qarkullim normal në rrugë, duke përfshirë këtu edhe sinjalistikën rrugore.

Vonesa në kryerjen e tenderit për kompaninë e mirëmbajtjes së rrugës e ka kthyer këtë aks, ashtu si shumë të tjerë në zona të ndryshme të vendit në tepër të rrezikshëm, ndërkohë që ulja e temperaturave ka shtuar nivelin e ngricave.

Edhe pse “News24” ka trajtuar si problem shqetësues mungesën e kompanive të mirëmbajtjes, ende nuk ka asnjë reagim mbi këtë çështje.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: