Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu duke marrë shkas nga deklarata e ministres Ogerta Manastirliu se mjekët e familjes do të jenë pjesë e luftës në vijën e parë kundër COVID, pohoi se roli i tyre nuk mund të kufizohet.

Në një lidhje skype për ‘News24’ ish-deputeti i PD-së tha se mjeku i familjes po kthehet ne operator i Call-center. Shehu theksoi se në këtë situatë që ndodhet vendi, duhet të përdoret çdo resurs njerëzor, kundër armikut të padukshëm COVID.

“Kemi një numër shumë të vogël mjekësh. Deklaratat e ministres së Shëndetësisë,  për mjekët e familjes janë belbëzime. Mjeku i familjes po kthehet në operator i call center. Vendi ynë duhet të ndjekë modelin gjerman, italian apo dhe atë francez. Qeverisja aktuale nuk ka një vizion se si duhet të veprohet për këtë situatë.  Nuk mund të kufizohet roli i mjekut të familjes. Në këtë situatë, duhet të përdoret çdo resurs njerëzor.”, theksoi ish-ministri.

Teksa u ndal tek testimet ish-ministri tha se autoritetet shëndetësore duhet të zbatojnë strategjinë e OBSH-së për testimet.

“Strategjinë e testimit e përcakton OBSH. Për testimet nuk kemi pse të shpikim strategji. Duhet të shfrytëzohen kapacitetet laboratorike të vendit. Direktivat e OBSH, kolone strategjike për ne”, tha Shehu.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb