Vetëm tre ditë më parë policia e Shkodrës vuri në pranga 8 mjekë të njohur në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Arsyeja e arrestimit:

Sepse i kishin kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë materiale mjekësore për kabinetin e hemodinamikës më shumë sesa kishte nevoja spitali. Mes të arrestuarve është edhe mjeku i njohur kardiolog Luan Dragusha. Një emër i njohur, jo vetëm për shkodranët por për të gjithë shqiptarët. Kjo pasi rreth dy vite më parë, kryeministri Edi Rama e quajti atë model suksesi, duke qenë se sipas tij la SHBA-në për të ardhur në Shkodër.

Por a janë mjekët përgjegjës për akuzën që iu është drejtuar? A mund të akuzohet mjekët për abuzime me tenderat, ndërkohë që është Ministria e Shëndetësisë ajo që është në krye të sistemit.

Ndërkohë që mjekët duhet të motivohen, t’u krijohen kushtet e nevojshme për ushtrimin e profesionit, si dhe të gjitha pajisjet dhe medikamentet e nevojshme për t’u mundësuar pacientëve një trajtim mjekësor sa më cilësor e dinjitoz; atyre u tregohet “vendi”.

Vihen para drejtësisë “sepse kanë kërkuar më shumë seç duhet”. Kanë kërkuar më shumë materiale mjekësore, për mbarëvajtjen e punës së tyre, e cila ka në fokus pikërisht qytetarin. Atë që në fakt duhet të merrte shërbim shëndetësor falas, por kjo është çështje tjetër, (mbase dhe e harruar për momentin, e mbase në fushatën e ardhshme elektorale, do të fillojë të lakohet sërish).

Padyshim që drejtësia duhet të jetë funksionale, dhe në rastet kur është e nevojshme duhet të veprojë. Por nga ana tjetër, mendoj se pasojat e një “aksioni të tillë”, dhe mungesën e 8 mjekëve e infermierëve në spitalin e Shkodrës, tashmë e vuajnë qytetarët e Shkodrës, dhe të zonave përreth.

E derisa e vërteta të zbardhet, të gjithë ata pacientë që do të duhet të merrnin shërbim në këtë spital duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen, e të drejtohen kushedi se ku, për aq sa ia “lejon” shëndeti dhe xhepi për të lëvizur drejt një tjetër spitali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: