TIRANË – Mjekët dhe personeli shëndetësor i QSUT-së kanë protestuar sërish sot, kundër testimit të planifikuar për ta nga Ministria e Shëndetësisë. Madje, duke iu referuar një interviste të ministrit Ilir Beqaj, botuar sot në “Gazetën Shqiptare”, ata shprehen të indinjuar për faktin se ministri i ka konsideruar kundërshtarë në një moment si ky. Sipas tyre, “nuk është testimi ai që përcakton kualitetin e mjekut; mjeku testohet përditë.”

Mjekët njoftuan se të martën në mbrëmje, ata do të marrin pjesë në një debat me Ministrin Beqaj pikërisht në studion e “News 24”, të ftuar nga gazetarja Eni Vasili në “Studio e hapur”. Përballë ministrit do të jenë figura të njohura të fushës, si Dine Abazi, Tritan Kalo dhe profesorë të shëndetësisë.

Sot, gjatë protestës, mjeku Tritan Kalo tha: “Sot jemi të gjithë solidarë dhe në një zë për të kundërshtuar një fushatë denigruese, që po organizohet nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, siç e shihni edhe në një intervistë të botuar sot në “Gazetën Shqiptare” për figurat më të iluminuara të këtij kombi, personelin shëndetësor, që ka punuar dhe punon në kushte jo-optimale, në kushtet e një presioni psikologjik, të të gjitha niveleve, për t’i shërbyer me sa më devocion dhe pastërti, njerëzve që janë në nevojë. Në këto kushte, kur vendi përballet me një fatkeqësi natyrore, të krijosh një fatkeqësi tjetër nëpërmjet presionit që i bëhet personelit mjekësor, ka dy shpjegime: Ose idiotsi, ose paaftësi, por asnjë racionalitet në fjalë dhe në veprime.”

I pyetur për shprehjen e përdorur nga ministri, “kundërshtarët do të pakësohen”, në është kërcënim apo tjetër, Kalo tha: “Në mënyrën si është shprehur quhet kërcënim. Direkt, indirekt, ai që e ka shprehur e di vetë. Nuk është testimi ai që përcakton kualitetin e mjekut; mjeku testohet përditë.”

Ndërsa mjeku Petrit Vargu tha për “News 24” se “ne e kundërshtojmë testimin, sepse nuk gjejmë asnjë motiv për ta pranuar, sepse nuk është ky testim ai që tregon nivelin e mjekësisë sonë. Para se të testohen mjekët, të testohet i gjithë personeli i Ministrisë së Shëndetësisë, që po e çon shëndetësinë në të gjithë këtë katrahurë në të cilën ndodhemi ne sot. Ju mund të shikoni vetëm titullin e “Gazetës Shqiptare” sot ku Ministri i Shëndetësisë i quan mjekët, “kundërshtarë”. Pra, kur i nevojiten mjekët, i quan heronj dhe kur i dalin kundër mendimeve të tij, nuk heziton t’i quajë dhe kundërshtarë.”

Vargu njoftoi se nesër, ata do të jenë në debat me Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn, në emisionin “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili. Po sot ne News24, ne emisionin “Njerez ne Fokus”, mjeket do te flasin mbi akuzat per korrupsion ndaj bluzave te bardha.

Në protestë sot kanë dalë edhe mjekë të rretheve të tjerave të vendit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb