Nga: OLA MITRE*TIRANE-Pas publikimit të programeve orientuese të provimit të ricertifikimit për mjekët, farmacistët dhe stomatologët që nuk arritën të përmbushnin detyrimet e ciklit të parë të edukimit në vazhdim, “Gazeta Shqiptare” publikon sot pjesën e dytë të tyre. Më konkretisht bëhet fjalë për programet orientuese për mjekët e specialiteteve: nefrologji, endokrinologji, pediatri, anestezi reanimacion dhe hematologji, të cilët i gjeni bashkëngjitur shkrimit. Në bazë të tyre pritet të hartohet edhe teza e provimit të ricertifikimit, të cilit do t’i nënshtrohen të gjithë ata profesionistë të shëndetësisë, që rezultojnë me zero kredite si dhe ata që nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve sipas ciklit të parë të ricertifikimit (150 kredite mjekët dhe 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). Në total janë 199 mjekë, 72 farmacistë dhe 379 stomatologë që rezultojnë me zero kredite. Po ashtu, në provim do të futen edhe 1004 mjekë, 121 farmacistë, 366 stomatologë, të cilët nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve. Një ditë më parë, “GSH” publikoi programet orientuese për mjekët në specialitetet: pneumologji, mjekësi urgjence, ORL, obstetrikë-gjinekologji, dermatologji, psikiatri, kirurgji e përgjithshme, imazheri, sëmundje infektive, ortopedi, mjeku i familjes dhe kardiologji, si dhe programet orientuese për farmacistët dhe stomatologët.
Regjistrimi
Për t’u regjistruar në provimin e ricertifikimit, mjekët, farmacistët dhe stomatologët, të cilët nuk arritën të përmbushin detyrimet e ciklit të parë 5-vjeçar të ricertifikimit, duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Kjo do të thotë se, këta profesionistë të shëndetësisë kanë përgjegjësinë për të bërë vetë regjistrimin, pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të hyjnë në provimin e ricertifikimit, kalimi me sukses i të cilit bën që të mos iu rrezikohet vendi i punës apo licenca e ushtrimit të profesionit. Ndërkohë që, kërkesës për regjistrim duhet t’i bashkëngjiten edhe dokumentet e mëposhtme: fotokopje e kartës së identitetit, fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit dhe fatura e pagesës për provimin e ricertifikimit. Ky dokumentacion dorëzohet pranë AKP-së vetëm në regjistrimin e parë dhe shërben edhe për regjistrimin pasardhës në rast përsëritjeje të provimit të ricertifikimit. Pas dorëzimit të dokumentacionit, do të jetë AKP-ja ajo e cila do të njoftojë më pas kandidatët për datën dhe orën në të cilat do të zhvillohet provimi. Sipas rregullores, nga ky detyrim do të përjashtohen profesionistët e punësuar në shërbimin publik shëndetësor, të cilët për 2 vjet ose më pak arrijnë moshën e pensionit, si dhe profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë 2 vjet përpara përfundimit të ciklit të ricertifikimit. Kjo do të thotë se ata mjekë, dentistë dhe farmacistë që janë licencuar pas datës 1 janar 2012, nuk do t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit. Po ashtu, rregullorja saktëson se profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: