Gazetarja e njohur Rudina Xhunga, ishte sot e ftuar në rubrikën Opinion, në News24. Ajo u shpreh mjaft e shqetësuar gjendjen e mjekëve të cilët, sikurse tha gazetarja, ndonëse janë të infektuar, nuk ngurojnë të të përgjigjen dhe të japin këshilla.

Një pjesë prej tyre, u shpreh gazetarja Xhunga, me të cilët ka qenë në komunikim të vazhdueshëm, janë jo vetëm të infektuar por edhe në gjendje të rëndë. Ajo tha se mjekët po i vrasim ne, me papërgjegjshmërinë tonë.

Nisida Tufa: Do të përqendrohemi sërish te pandemia, në vijim të bisedës që pata me zotin Tritan Shehu, po flisnim për mjekët e familjes. Ai është i mendimit që duhet të funksionojnë më shumë mjekët e familjes. T’ju bjerë edhe atyre një barrë, që të mos sfiliten mjekët që janë në vijën e parë. Dua të ndalem te mjekët. Po shohim që ka një numër të madh mjekësh që janë të infektuar me koronavirus, si në spitalet e kovid, edhe jashtë tyre. A e sheh si shqetësim? Si të duket situata?

Rudina Xhunga: Mjekët e familjes funksionojnë. Sa cilësisht funksionojnë është një tjetër çështje. Ndërsa nuk e shoh thjeshtë si shqetësim që mjekët janë prekur nga kovidi, unë e shoh këtë si shqetësimin kryesor. Madje nuk po flas vetëm për ata që punojnë aty, mjekë, infermierë, sanitare, që punojnë në 3 spitalet kovid. Janë në mes të një pune sfilitëse, rraskapitëse, të cilën unë uroj t’ua dimë ndonjëherë. Është një nga momentet më të vështira për ta. Se çfarëdo rroge të marrësh, unë nuk e di për çfarë të hyn në punë ajo rrogë. Ishte para një jave, një mikeshë e imja e shtrenjtë e cila vazhdon të jetë e shtruar te Shefqet Ndroqi, kur e pyeta se çfarë mund të bëj për ty, asnjë gjë më tha, do ia dal. Tani nuk marr dot frymë e kam 82 oksigjenin. Nuk marr dot frymë më tha, por do ia dal, por të lutem çoji lule mjekes që kujdeset për mua. Dhe vërtet më ka prekur shumë. Vazhdoj të jem e shqetësuar për shëndetin e mikes sime, siç jemi shumë të shqetësuar për shëndetin e të afërmve tani.

Nisida Tufa: Ajo është mjeke?

Rudina Xhunga: Jo, është mësuese. Por meraku i saj, ishte për mjeken që kujdesej për të. Dhe pastaj kur i dërguam lule mjekes, i dëgjova zërin, zërin e një njeriu që është i lodhur. Dhe praktikisht janë njerëz që mund të dorëzohen. Në këto momente, je i dorëzuar. Je i dorëzuar kur je përballë papërgjegjshmërisë se njerëzve që minimumi mund ta ngrenë mbi hundë atë dreq maske. Por vazhdojnë ta mbajnë nën mjekër, vazhdojnë ta mbajnë për gjobën. Apo papërgjegjshmërisë, së komunikimit të mediave shqiptare. Përfshirë edhe mua, unë jam pjesë e medias. Në mënyrën se si i japim kohë dhe vend debateve poshtëruese, të tipit mjekët fshehin të vdekurit, mjekët të vrasin etj etj. Kur në një farë mënyre, debati më i madh, që duhet të shkruhet me tituj të mëdhenj është emri i çdo mjeku që po kalon kovidin. Dhe nuk po e kalon sepse është i papërgjegjshëm, por sepse nuk ka asnjë shans të mos e kalojë. Unë hyj te ato njerëzit që jam kuruar gjithë jetën time në Shqipëri. Kam lindur në një spital publik. Mjekohem në spitalet publike. Prindërit e mi i çoj te mjekët shqiptarë në spitale publike. Njoh çdo mjek të mirë të këtij vendi. Më është dashur për shkak të sëmundjeve të prindërve të mi. Dhe mjekët më të mirë të këtij vendi që unë komunikoj dhe i pyes si janë, janë të sëmurë. Një prej mjekëve më të mirë të zemrës, një prej mjekëve më të mirë që unë kam njohur në këtë vend, që la Mynihun për Shqipërinë, është i sëmurë tani që flasim.

Se ne jemi mësuar me idenë se mjekët ikin. Jo mjeket dhe vijnë. Njeri prej tyre qe është fat qe erdhi, është Alban Dibra. Unë nuk njoh një mjek me të cilin mund të kem një komunikim më të mirë se sa me të dhe e pyeta si je, duke menduar si mund të jetë në mes të kësaj pune dhe më tha që ai së bashku me gruan, po e kalonin kovidin. Pa u ankuar, pa folur. Në pritje ta kalojë dhe kthehet në detyrë, pa treguar sa vështirë është. Siç nuk po flet, Drini Dobi, shefi i neurologjisë, që po vuan në Infektiv. Siç nuk po flet Bledi Nini, një prej djemve më të mirë që njoh, një prej njerëzve që i besoj dëgjimin, hundën dhe veshin të vetes dhe fëmijës tim. Dhe është sëmurë, shumë sëmurë. Epo këta mjekë nuk kanë pasur të bënin me kovidin, këta njerëz thjeshtë nuk u thoshin dot jo të sëmurëve. Atyre që vijnë pa treguar se e kanë kovidin. Atyre që tani nuk ka protokoll t’i mbajë larg spitaleve.

Dhe mjekët shqiptarë po vuajnë prej kësaj, mjekët më të mirë që kemi. Mjekët që nuk i kemi vlerësuar kurrë.

Ne nuk i kemi respektuar ndonjëherë mjekët, ka 30 vjet që sytë i kemi nga politikanet jo nga profesionistët. Kanë ikur kohërat kur mjeku ishte perëndi në këtë vend. Këto 30 vjet ne themi, ai që më mori 5 mijë lekë, ai që i dhashë 10 mijë lekë. Nuk e dinë që ti do të paguash për dijet e tij, për punën e tij, për lodhjen, vuajtjen, për faktin që po të rri në kokë. Për këta njerëz tani po i vrasim. Jemi duke i vrarë ne, me papërgjegjshmërinë e maskës që e mbajnë nën mjekër, me festat e kafenetë plot. Kështu që kini parasysh, kur shikoni dikë që po feston, mos mendoni si lum ai. Mendojeni që ai po vret një mjek tani. Është duke vrarë një mjek.

Ne do të ngelemi pa mjekë të bllokuar nëse vijojmë kështu, një mjek që është i sëmurë, nuk mund të komunikojë me ty kur ti të kesh nevojë. Sepse ka qindra nevoja, përveç kovidit në këtë moment. Edhe pse nuk e di a të ka ndodhur ty, të kërkosh ndihmë te një mjek, dhe ai të jetë duke kaluar kovidin në atë moment, ndërkohë që edhe ty të përgjigjet. Mua më ka ndodhur.

Nisida Tufa: Patjetër, mjekët janë heronj. Edhe mua më ka ndodhur të komunikoj me mjekë, ndërkohë që po kalon kovidin dhe më ka ndihmuar, dhe unë dua ta them publikisht, që është Arjan Mezini që i përgjigjet çdo nevoje të çdo pacienti apo qytetari edhe pse po vuante nga kovid. Dhe si ai ka shumë mjekë të tjerë.

Rudina Xhunga: Shiko është një moment i jashtëzakonshëm për mjekët. Unë dua jo vetëm ta bërtasim me zë të lartë se sa të rrezikuar janë mjekët, por edhe t’i themi faleminderit që janë akoma në punë. Dhe s’po flas vetëm për mjekët e spitaleve te kovidit. Për të gjithë mjekët. Unë jam vërtetë e tronditur. Sepse mjekët më të mirë të këtij vendi që unë njoh, janë të prekur nga kovidi dhe një pjesë e tyre janë rëndë. Një tjetër mjek shumë i rëndësishëm, për diabetin, e kaloi shumë rëndë. Isha duke folur dje me një mjek me të cilin kam lindur fëmijën, doja të dija a ishte mire. Unë hyj te njerëzit që jam e shqetësuar për mjekët e këtij vendi, sepse unë jetoj në këtë vend, nuk kam ndërmend të iki ndonjëherë. Siç një pjesë e politikanëve në Shqipëri apo njerëzit e pasur, bëjnë. Po ta kesh një këmbë jashtë, nuk të bëhet vonë për mjekët. Dje po pyesja Orion Gliozhenin, a je mirë, dhe a duhet të mos dalësh në punë sepse kjo është e vetmja mënyrë që të shpëtosh, si zoti Shehu për shembull, që rri në shtëpi, sepse e ka të qartë, po dole do të sëmuresh. Dhe Gliozheni tha, jo, do të dal në punë. Ata e kanë marrë parasysh që kovidi të vret dhe kanë dalë në punë. Prandaj faleminderit është pak.

Nisida Tufa: Përgjatë bisedës të dëgjova për punën e maskës, e përmende disa herë që e mbajnë maskën shumë qytetarë këtu. Në fakt që nga dita që është vendosur masa strikte, për maskën në ambientet e brendshme dhe të jashtme, a mendon se ka lëvizur diçka, sepse ne po shohim numra që janë gjithnjë e në rritje? Dhe është një situatë e pritshme për shkak edhe të stinëve vjeshtë-dimër, që gjithmonë është e tillë në raste normale, e jo më kur ka një pandemi. Por a ka sjellë diçka kjo masa me maskën, apo jo? Ashtu sikurse edhe ora 22:00 e kufizimit, që për shumë qytetarë mund të duket pak?

Rudina Xhunga: Unë mendoj se maska nuk është diçka që e vendosi qeveria shqiptare dhe kjo do të ndryshojë situatën. Përderisa po të thonë mjekët e njohur që: “Mbaj maskën se s’ke tjetër aleat. I vetmi alet që mund të të ndihmojë ty është maska”, domethënë armë tjetër nuk ke. Kjo është një marrëdhënie mbajtjeje. Unë duhet të mbroj vetën time dhe njerëzit e mi të dashur deri sa të vijë prilli, maji dhe ne ta kalojmë. Nëse ne themi: “Na lodhi maska.” Të lodhi maska? Po në vesh kam zërin e shoqes sime që me thotë: “Do t’ia dal, po ja se 82 e kam, pastaj dal, por nuk po mbushem dot me frymë.” Ata s’po mbushen dot me frymë, ne nuk do të mbushemi me frymë nesër po qe se neglizhojmë maskën sot. Maska është mënyrë e mire për t’u mbrojtur, jo më e mira, jo komplet e mjaftueshme. Dhe e keqja është që gjobat nuk po ndihmojnë njerëzit që ta vënë. Unë i shoh të gjithë me maska në rrugë, por nuk i mbajnë siç duhet. Kështu që me qejf të madh do të doja të shihja më shumë ekrane që tregojnë si vihet maska, si të mbron maska. Hajde flasim pak me njëri-tjetrin sepse e vetmja mënyrë për t’ia dalë është të bëhemi bashkë. Tani ka dritë në fund të tunelit. Dalja e afërt e vaksinës së kovidit është një prej arsyeve për të na bërë krenarë për arritjet e shkencës. Shkenca bëri një hap spektakolar dhe mesa duket ne do t’ia dalim të përqafohemi këtë verë.

Nisida Tufa: Do ia dalim, do e kemi vaksinën?

Rudina Xhunga: Ne jemi vend evropian. Nuk jemi në BE, por jemi brenda të gjitha mundësive për të qenë pjesë e bashkëpunimit dhe ndihmës. Nuk kam asnjë dyshim se çfarë do të ndodhë te vendet afër nesh, do të ndodhë edhe te ne. Puna është që të arrijmë atë ditë që do të përqafohemi. Dhe vetmja mënyrë që të arrihet është mos ta lëshojmë veten në hapat e fundit. Këto janë muajt e fundit të një luftë. Por vdes edhe në muajin e fundit të luftës, edhe në minutën e fundit. Në çdo moment mund të të ikë jeta, në çdo moment mund të sëmuresh. T’i lëmë ato fjalët ngushëlluese të tipit: “Do e kalojmë të gjithë.” Por nuk kemi pse ta kalojmë të gjithë. Ne nuk e dimë çfarë lloj virusi është, ku të dëmton. Takova sot një vajzë të re, e cila kishte dy javë që përpëlitej mbas marrjes së virusit dhe kishte marrë rezultatin negativ dhe akoma thoshe: “Po mos e marr sot, se e dyta është më keq.” Realisht ishte e dëmtuar. Psikika e saj ishte e dëmtuar, ajo ishte frikësuar. Vajzë e re, e tmerruar nga kovidi. Ti nuk e di ku të godet. Të godet në mendje, në mushkëri, në zemër. Nuk ke pse ta marrësh patjetër. Duhet të ruhesh që mos e marrësh.

Nisida Tufa: Por ama frika dhe paniku ekzistojnë. Sikurse përmendëm që mjekët janë gjatë gjithë kohës në punë, edhe gazetarët, profesione të tjera. Madje mund ta kesh provuar edhe vetë, gjatë xhirimeve. Edhe ti ke situata stresi, apo jo?

Rudina Xhunga: Të gjitha. Situata paniku, stresi. Ndonjëherë kur tregojë këto udhëtimet dhe më shkruajnë: “Lum ti!”. Për çfarë lum unë? Unë detyrohem mbas udhëtimeve të bëj tamponin. Në çdo moment jam e rrezikuar.

Nisida Tufa: Sa herë e ke bërë tamponin?

Rudina Xhunga: Tri herë.

Nisida Tufa: Sigurisht të tria herët negative, për sa kohë nuk e kemi mësuar lajmin nga vetë ti.

Rudina Xhunga: Kam pasur fatin që në këto tri raste të mos e kam marrë. Këtë më kanë thënë mjekët kur kam marrë përgjigjen që: “Je negative edhe sot.” Asnjëherë nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër. Duhet të vazhdosh të ruhesh, të mbrohesh gjithkund. Virusi është gjithkund. Nuk ka një vend dhe një njeri që të mendosh: “Unë këtë e njoh dhe nuk e ka.

Nisida Tufa: Ka pasur debate edhe për shifrat e infektimeve, madje edhe për numrin e viktimave. Një debat që gjithmonë përfshin politikën shqiptare. I ke ndjekur deklaratat, kundërdeklaratat, madje edhe një mesazh drejtuar Lulzim Bashës nga Edi Rama, për fshehje të numrit të viktimave. Mendon se buletini që vjen çdo 24 orë nga Ministria e Shëndetësisë, ka shifra ekzakte për të infektuarit dhe viktimat?

Rudina Xhunga: Unë hyj te njerëzit që kur del buletini e nxjerr në faqe. Pasi del Kosova, e pres të vijë Shqipëria lutem: “Inshallah shifrat sot kanë rënë. Mbase kanë rënë.” Sa herë që ka shifra të larta, si dje që ishin tmerrësisht të larta, unë tronditem. Nuk hyj te njerëzit që filloj të dyshoj dhe them: “Mos nuk janë 17, por janë 47?” Mua kjo nuk më gëzon, më trishton. Që ne po pakësohemi, që kovidi po vret shumë prej nesh. Nuk ia dalin nga gjenet, nga shumë mundësi të tjera. Nuk ia dalin mbase edhe sepse tremben. Një prej aleateve të kovidit është frika. Kështu që hyj te njerëzit që nuk duan të shtojnë frikën e të ngjashmëve. Sepse ata janë prindërit e mi, t’i frikësoj ata? T’u them: “Jo kanë vdekur më shumë, por po i fshehin numrat mjekët. Ta dini që mjekët tanë janë të paaftë, mjekët tanë po ju vrasin. Ta dini që mjekët fshehin numrat. Ta dini që mjekët tanë janë hajdutë, duan t’ju vjedhin, pastaj t’ju vrasin!

Kujt t’ia them këtë? Prindërve të mi, njerëzve të mi të dashur në këtë vend? Kjo është ajo çfarë dua unë tani në fund të një pandemie tragjike për botën? Jo unë në këtë kohë dua të mendoj vetëm për jetën dhe të flas, të përkthej çfarë mundem nga literatura më e mirë botërore, nga mediet më serioze botërore, të cilat janë duke folur për jetën. Për kapjen me thonj mbas jetës të 100-vjeçarëve, të 90-vjeçarëve. E jo më të themi “Është 77, është i madh. Punë e madhe.” Jo more jo. Kemi të drejtë të jetojmë dhe do të jetojmë. Pasi kjo pandemi të ketë mbaruar, padyshim do të bëjmë llogaritë tonë. Por në këto llogari nuk do të përfitojnë ata që folën për vdekjen më shumë se për jetën. Është lufta për jetën.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb