Mjeku i njohur, Artan Koni, deklaroi në emisionin “Real Story”, në News24, se përhapja e një koronavirusi të ri nuk është aq shqetësuese, sa të çojë drejt një mbylljeje të dytë të vendeve.

“Nuk mendoj se është shqetësues sa për t’u mbyllur. Po shohim që rastet kanë një rënie të lehtë në gjithë Evropën, dhe në Angli. Duke qenë anglezët të lodhur nga pandemia, ata do kenë pasur dëshirë të festonin festat më shumë se vitet e tjera, ndaj dhe qeveria angleze do ketë menduar se këtë vit do të bëhet nami dhe për të bllokuar një lëvizje masive ka marrë masa bllokuese”, tha Koni.

Por, për kreun e Urgjencës kombëtare, Skënder Brataj, “marrja e masës ishte e lidhur me infeksionin, që pati një transmetim shumë të madh. Shkoi nga 100 në 400 për 100 mijë banorë”.

Nga ana e tij, eksperti i shëndetit pranë Partisë Demokratike, Gazment Koduzi, u shpreh se “Janë disa indikatorë që përdorin shtetet kur marrin masa. Viruset kanë ARN dhe mutacioni i tyre është i shpeshtë, ashtu sic ndodh edhe me gripin sezonal. Edhe Covid-19 është virus dhe do të ndodhë kjo gjë. Pas nëntë muajsh njerëzit janë të lodhur, por edhe qeveritë, që kanë frikën e llogaridhënies politike. Britanikët mbase u nxituan në dhënien e lajmit për mutacionin. Ndodhin këto gjëra, por duhen parë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb