TIRANE- Ndërsa epidemia e gripit po bën kërdinë, me raste të sëmurësh që shtohen nga dita në ditë vjen edhe një lajm i mirë. Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 thotë se shqiptarët do shpëtojnë nga përhapja e këtij gripi pas javës së tretë të janarit.

“Java e tretë e janarit do jetë piku dhe pastaj fillon rënia”,- sqaron ai.

Sipas tij, “Në aspektin e të dhënave epidemiologjike numri i personave të prekur në kohë reale numri i personave që në mënyrë të paarsyeshme mbushin klinikat e bëjnë që të mos jetë normale kjo situatë. Pra, është një epidemi mjaft e rëndë. Në aspektin klinik është një situatë epidemie normale me një numër rastesh nga 120 deri në 170 rastë në 24 orë”.

Ai shtoi se vetëm nga gripi nuk ka asnjë rast vdekje. Të gjitha rastet më sëmundje kronike, gripi AH1N2 vetëm sa i ka rënduar, siç tha Pipero.

Mjeku infeksionit tregon edhe simptomat kryesore që shoqërojnë gripin, ndërsa këshillon që tre ditët e para, i sëmuri të qëndrojë në shtëpi dhe të konsumojë sa më shumë lëngje. Nëse temperatura nuk bie, dhe simptomat nuk lehtësohen, atëherë këshillohet që i sëmuri t’i drejtohet mjekut.

“Gripi është një sëmundje sezonale. Grupet e riskut janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit, dhe të sëmurët kronikë. Ky është një kontingjent më i rrezikuar nga grupit. Por jo të gjithë fëmijët për shembull duhet të jenë në një situatë alarmi, varet nga reagimi i fëmijës ndaj virusit. Por në rastet kur temperatura e lartë vijon, dhe simptomat nuk lehtësohen, duhet të drejtohen tek mjeku për trajtim të specializuar. Në këtë periudhë do t’i këshilloja të gjithë qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dy-tre ditët e para. Pasi pas ditës së tretë temperatura zbret.

Ky grip vijon 3-5 ditë. Nëse dobësia, temperatura, kolla, apo dhimbja e kokës shtohet, atëherë duhet të drejtohen tek mjeku. Sa kohë që për gripin nuk kemi një mjekim specifik, atëherë këshillohet të qëndrohet në shtëpi. Pasi i sëmuri nuk rrezikon të marrë infeksione të tjera, është në kushte më komode, mund të ushqehet më mirë, dhe të marrë lëngjet e nevojshme. Këshillohet të konsumohen fruta, dhe të merren sa më shumë lëngje. Është e këshillueshme që të pihet sa më shumë ujë. Në dy tre ditët e para duhet të merren paracetamolë çdo 4 ore, e dy ditët e tjera çdo 6 orë. Dhe gripi kalon më mirë”, shpjegoi mjeku Pipero.

(ma.ar/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb