KORCE – Nga Londra në barakat e Korçës duke lypur për një kafshatë bukë. Kjo është historia e Rudina Shkozës, së bashku me 2 fëmijët e saj 7 dhe 5 vjeç. Kalvari i vuajtjeve të Rudinës nisi me vdekjen e bashkëshortit të saj anglez në Londër, para 6 vjetësh, në një kohë kur ajo ishte në proces për bërjen e dokumenteve të rregullta. Dy fëmijët e lindur në shtetin anglez kishin pasaporta të rregullta të Mbretërisë së Bashkuar.
Pak kohë më vonë Rudinës i vdes në një aksident edhe vëllai i saj që jetonte në Shqipëri. Për ta përcjellë në banesën e fundit, ajo erdhi në Shqipëri, por autoritetet shqiptare nuk e lejuan të largohej më, sepse kishte shkelur procedurat për qëndrim të rregullt në këtë shtet. Kështu ajo mbeti në Korçë, ku u përpoq të ndërtonte jetën nga e para. Por problemet e saj nuk përfundojnë me kaq, pasi fëmijët e saj janë ende të paregjistruar. Ajo akuzon autoritetet bashkiake dhe ato të shërbimit social për neglizhencë.

“Këtu në Shqipëri më thonë që nuk lejohet dhe nuk e di për çfarë nuk mi regjistrojnë. Fëmijët i kam me pasaportë angleze. deri tani asnjë ndihmë nuk kam. Unë jetoj tek një shoqe, por dhe ajo është mërzitur se do rehatin e saj. jam jashtë, rrugëve.” – shprehet Rudina.

Specialistja e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bashkinë e Korçës, Brikena Çuçllari, thotë se fëmijët e paregjistruar janë potencial i mundshëm trafikimi dhe po monitorohen rastet e mundshme.

“Këta fëmijë janë potencial i mundshëm trafikimi dhe nivel i lartë rreziku dhe ne jemi duke monitoruar rastet të cilat i kemi identifikuar dhe po i ndihmojmë për ta zgjidhur këtë problematikë.”- shprehet Çuçllari.

Vetëm në qytetin e Korçës kanë rezultuar për vitin 2014, 30 raste fëmijësh të paregjistruar.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: