Jo shumë kilometra larg qendrës së kryeqytetit, mbrapa shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, në Allias ndodhet kjo ndërtesë e harruar. Prej shumë kohësh, brenda saj është strehuar familja Gerdeliu me 4 anëtarë, mes të cilëve dhe 2 vogëlushe të pambrojtura. Mjerimi dhe skamja janë ulur “këmbëkryq”, e përpos kushteve të këqija, kjo familje nuk ka as drita e as ujë.

Kamera e News 24 sjell këto pamje tronditëse që ngjasojnë më së tepërmi me mesjetën sesa me kohët moderne në të cilat jetojmë. Kryefamiljari i shtëpisë, Selajdini tregon se kazanët e plehrave janë i vetmi burim jetese për gruan shtatzënë dhe dy vajzat e tij 5 dhe 8 vjeçare.

“Gjej ndonjë kazan, ndonjë reflektor edhe bidona, i shes 2 mijë lekë, 1 mijë lekë dhe blej të hamë darkën. Kam shumë vite që jetoj kështu”, tregon Selajdini.

Pavarësisht mjerimit ku jeton, vajza e madhe e familjes Geraldini, Sanja do të shkojë në klasën e tretë këtë vit të ri mësimor. Ajo dëshiron të jetë si gjithë bashkëmoshatarët e saj, të ketë një shtëpi, ushqim, drita për të lexuar dhe ujë për t’u larë.

“Kam nevojë për fletore, për rroba, për një ndihmë. Edhe për një çantë që të shkoj në shkollë kam nevojë. Edhe për veshje, drita, ujë e ushqim”, thotë vogëlushja.

A del me babin ti për të mbledhë kanaçe?
Vajza: Ndonjëherë dal!

Selajdini nuk kërkon asgjë për veten, por thërret dëshpërimisht për ndihmë ndaj dy vogëlusheve, dhe shpreson që t’i lidhet një pension invaliditeti për bashkëshorten e sëmurë me probleme të shëndetit mendor.

“Po patën mundësi të na japin ca ushqime për fëmijët, rroba, ndonjë palë tuta për gocat. Kështu gjërash për fëmijët me u vesh dhe gocën që ta çoj në shkollë. T’iu lidhin një pension këtyre fëmijëve ose një asistencë të paktën; edhe kësaj (bashkëshortes) që është e sëmurë. Të na vejnë një dritë këtu, kjo shtëpia është gogol në fakt, por në një dhomë të na vejnë dritën, edhe ujin”, thotë kryefamiljari.

E nëse vuajtjet janë të pafundme tani, afrimi i stinës së ftohtë të dimrit, do ta bëjë edhe më të vështirë jetesën e familjes Geraldiu. E vetmja ngrohtësi që do ti mbështjellë, është shpresa…

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb