Simone Inzaghi konfirmohet “mbret” i Kupave, përballë Fiorentines siguroi për herë të tretë trofeun e Kupës së Italisë, vetëm tre trajnerë kanë bërë më mirë se sa ai, Sven-Goran Eriksson, Massimiliano Allegri dhe Roberto Mancini me katër trofe. Inzaghi vërtetoi edhe një herë se është mjeshtër kur bëhet fjalë për finale, ky ishte suksesi i tij i shtatë në karrierë nga tetë finale ku ka marrë pjesë, pasi humbi finalen e parë me Juven ka fituar 7 finale radhazi:

“Jam shumë i lumtur pasi fituam një Kupë ku dëshironim të konfirmoheshim. U treguam të zotë, djemtë u treguan të zotë”, u shpreh Inzaghi duke u ndalur më pas te finalja e Champions League: “Dëshirojmë të luajmë gjithçka dhe në mënyrën më të mirë të mundshme. Kemi dhe dy ndeshje në kampionat dhe më pas finalen e Stambollit. Dëshirojmë të vazhdojmë kështu”, theksoi Inzaghi.

Njeriu i finales, Lautaro Martinez, me “dopietën” e tij shkoi në kuotën e 101 golave me fanellën zikaltër: “Jam i emocionuar, i lumtur, pasi prej vitesh po i sjellim trofe këtij klubi të madh. Sezoni im më i mirë? Dëshiroj të vazhdoj kështu, të jap kontributin tim për skuadrën dhe të fitojmë të tjerë trofe”, u shpreh Lautaro, i shpallur njeri i ndeshjes.

I lumtur pas këtij suksesi u shfaq edhe presidenti Zhang: “Ky është trofeu im i katërt me Interin, nuk arrij ta shpreh me fjalë se sa i lumtur jam për skuadrën. Kemi një mentalitet fitues, ky është një sukses i stafit, i drejtuesve, i skuadrës”, theksoi Zhang.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb