TIRANE– Komanda Mbështetëse deklaroi përfundimin me sukses të reduktimit, pastrimit dhe certifikimit të grup-depove. Përgatitja dhe transporti i 272 tonë materialeve u bë nga batalioni i armatim-municioneve dhe ai i transportit, ndërkohë që efektivët e kompanisë EOD dhe ekipi i AMMCO-së realizuan me sukses kontrollin, pastrimin dhe certifikimin sipas standardeve, duke pastruar një zonë me sipërfaqe të shfrytëzueshme prej 121,000 m² si dhe 7592 m² sipërfaqe objektesh që i vijnë në ndihmë ekonomisë së zonës.

Në ceremoninë e certifikimit të pastrimit të këtyre grup-depove, morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Fatmir Lokaj, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe përfaqësues të kompanisë AMMCO.

Zëvendësministri i Mbrojtjes falënderoi efektivët e Komandës Mbështetëse për gatishmërinë dhe përkushtimin në përmbushjen me sukses të misionit të tyre duke zbatuar siç tha ai “me korrektësi të lartë detyrat e ngarkuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA. Me krenari mund të themi që po dorëzojmë për zhvillim në shërbim të komunitetit dhe të shoqërisë një sipërfaqe të konsiderueshme, që do të thotë se FA, jo vetëm punon që të garantohet siguria e jetës së qytetarëve, por në këtë rast kontribuon edhe për zhvillimin social dhe ekonomik të një zone të caktuar. 250 ton materiale të ndryshme, ku mes tyre me siguri ka pasur edhe elementë të rrezikshëm, tregojnë për një punë voluminoze, të jashtëzakonshme”.

“Praktika e ndjekur deri më tani do të bëjë të mundur minimizimin në maksimum të rreziqeve që paraqesin municionet për komunitetin dhe rritjen e sigurisë së aktiviteteve që do të kryhen në këto territore. Reduktimi i depove në një kohë të shkurtër do të ulë koston dhe do të kursejë paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke ulur numrin e personelit të shërbimit, të cilët do të jenë të gatshëm për operacion e stërvitje”, tha komandanti i Komandës Mbështetëse kolonel Fatmir Lokaj.

Përfundimi i këtij operacioni është vazhdim i realizimit me sukses pastrimit të hot-spoteve në Gërdec dhe Poshnjë të Beratit. Komanda Mbështetëse për vitin 2016 ka planifikuar pastrimin e grup-depove Arshilengo në Gjirokastër, Nuaj, Krujë, Qafëmolla 1, si dhe pastrimin e hot-spoteve në Klos dhe Selicë, Burrel.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: