Gjatë janarit lexova librin “A Promised Land”, shkruar nga Presidenti Barack Obama, ku përshkruhet kurba jetësore dhe e karrierës që ai ka ndjekur nga vitet e hershme të rinisë, deri kur fitoi zgjedhjet presidenciale dhe periudhës 8-vjeçare që drejtoi zyrën më të pushtetshme të botës.

Ky është vëllimi i parë i kujtimeve të Obamës, që siç ai e ka bërë të ditur, do të pasojë me një botim të dytë, në vazhdën e një tradite shumëvjeçare të shumë liderëve botërorë. Kjo, si mënyrë për të lënë të gdhendur në kujtesën kolektive dhe atë historike, trashëgiminë e tyre politike e cila ndonjëherë merr edhe më shumë vlerë me vitet që kalojnë, pasi në disa raste efektet e shumë politikave të ndërmarra apo frymës së ndryshimit ndihen jo detyrimisht në përmasën e plotë të tyre, përgjatë periudhës së njejtë kohore me vitet e ushtrimit të detyrës.

Në fakt, ky nuk është fati që i ndjek të gjithë politikanët, pasi shumë prej tyre trashëgiminë politike e paracaktojnë që në kohën kur qeverisin, me aktet dhe vendimmarrjet e tyre duke ushtruar pushtetin e deleguar nga populli, pa shënjuar progresin e pritshëm për të cilin fillimisht u besuan. Në ndonjë rast disa politikanë kanë shënjuar edhe regrese, siç ishte për shembull rasti i Presidentit Donald Trump, që e përfundoi rrugëtimin e tij në pushtet duke lënë një shoqëri amerikane shumë më të polarizuar e të ndarë, se sa ajo që ai gjeti ditën kur hyri në zyrën ovale.

Në këtë libër janë pasqyruar deri në detaje momente, situata dhe ngjarje të ndryshme, nga ato të karakterit human, familjar e shoqëror, deri te ato të natyrës shumë më strategjike, qeverisëse e thellësisht politike. Teksa lexon librin të zgjohet një kuriozitet që të shtyn të vlerësosh në kohë reale me tregimin e autorit, një mendësi e filozofi politike që hera-herës ngjan e thjeshtë dhe e natyrshme për t’u përthithur në vetëdijen e lexuesit, ndërsa herë të tjera paraqitet më komplekse për ta kuptuar peshën e përgjegjësisë e të ngarkesës politike që të sfidon deri në limite, potencialin e fshehur brenda dimensionit njerëzor e politik, sidomos kur mban përgjegjësi dhe detyra aq të larta shtetërore.

Tregimi mishërohet me mjeshtëri nëpërmjet një origjinaliteti impresionues në të shkruar, paçka se personalisht mendoj se karizma më e spikatur e Barack Obamës reflektohet më shumë kur me një elokuencë dhe elegancë vështirësisht të krahasueshme ai ligjëron në publik.

Nuk dëshiroj të shkëpus detaje nga faqet e librit, sepse askush këtë nuk do mund ta ilustronte më mirë sesa vetë autori, përpos kujdesit që dua të kem për të mos shuar zellin kureshtar të asnjë lexuesi tjetër që ka dëshirë ta lexojë rrëfimin e tij të bukur.

Arsyeja pse e bëra këtë parantezë të shkurtër lidhur me librin e Obamës, më shërben thjesht si frymëzim për të mbërritur në një argument dhe arsyetim që ka lidhje më së shumti me dobinë publike që duhet të mbizotërojë në çdo shoqëri, për të vendosur gjithmonë në balancë racionale avantazhet apo rreziqet e një “lideri” që aspiron të drejtën të na përfaqësojë, drejtojë në një fushë të caktuar apo të na qeverisë.

Secili ka të drejtën universale të angazhohet lirisht në jetën publike e të mbrojë nje ideologji të caktuar, por nga ana tjetër edhe vetë shoqëria, institucionet akademike, media, sipërmarrja dhe politika, duhet të krijojnë hapësirat e nevojshme për të krijuar një mjedis të shëndetshëm bashkëjetese mes një zinxhiri kontributorësh dhe aksionerësh të shoqërisë, për ta parë suksesin jo thjesht si qëllim individual, por edhe si një të mirë të përbashkët që ndikon në krijimin e një mirëqënieje më të gjerë dhe një modeli të shtuar për t’u ndjerë edhe më i motivuar e për të realizuar me sukses ambicjet dhe ëndrrat.

Edhe “Fondacioni Obama” i krijuar nga Barack & Michele Obama, si shumë organizma të tjerë, kanë për mision të frymëzojnë, fuqizojnë dhe bashkojnë njerëzit për të ndryshuar “botën e tyre” në realitetet ku jetojnë. Është pikërisht një filozofi e tillë që nuk duhet të mungojë e që ndihmon për të evidentuar prurje të reja dhe për të injektuar në shoqëri kurajon, besimin dhe ofruar instrumentat e nevojshëm të rritjes në karrierë. Kjo jo si mënyrë për të fuqizuar pushtetin personal, por si mendësi për të shtuar e ripërtërirë energjitë e përpjekjeve të përbashkëta për realizimin e një vizioni që sjell më shumë zhvillim dhe jetësimin e një “ëndrre” me pasion idealist, që shton premisat për të ndërtuar një realitet akoma më të bukur dhe shumë më të drejtë.

Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për një lider që aspiron të vijë në pushtet me modelin e gabuar, por për çdo personalitet qytetar që ndjen të gjallë brenda vetes dimensionin e “liderit” apo qytetarit antikonformist. Shembuj ka plot, duke filluar nga një aktivist i komunitetit dhe shoqërisë civile, te një akademik që ka edhe një zë mediatik, te një sipërmarrës i suksesshëm që nxit edhe inovacion, apo një Kryetari Bashkie, deputeti e deri te një Ambasador, Ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e President.

Thënë këto, i referohem nevojës që shoqëria ka për të përkrahur, nxitur e promovuar personalitete qytetare e profesionale, që mishërojnë dije, talente dhe cilësi intelektuale shumë të mira, për të mbajtur një rol më publik e më aktiv, sesa thjesht angazhimi me korrektesë profesionale gjatë ushtrimit të një detyre të caktuar, që sigurisht duhet të jetë minimumi i domosdoshëm.

Të tillë portrete mendoj se ndihmojnë për të bashkuar energjitë e shumë aktorëve të tjerë që jenë natyrshëm të përfshirë dhe të angazhuar në jetën shoqërore e politike, për të konsoliduar funksionimin e shëndetshëm dhe efikas të një piramide hierarkike brenda një sistemi demokratik, që padyshim gjithmonë respekton pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve, në emër të përpjekjeve të përbashkëta për progres të përgjithshëm.

Mendoj se kjo frymë e qasje është shprehia më domethenëse që shumë “lider”, mund e duhet të promovojnë kur ushtrojnë detyrat e tyre, duke inkurajuar në radhët e shoqërisë falë shembullit të tyre inspirues edhe bashkë-udhëtarë të tjerë që duan t’i bashkohen jetës aktive politike dhe jetësimit të një vizioni të përbashkët, me dëshirën për të dhënë kontributin e tyre në konsolidimin e kulturës së shërbesës në funksione publike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: