TIRANË

Moderatorja Elona Duro iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve te lulishtja e Akademisë së Arteve dhe së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, e vuri theksin te rëndësia e shtimit të oksigjenit në qytet.

“Uroj shumë që fëmijët tanë, por edhe fëmijët e të gjithë shqiptarëve, të kenë të ardhme të ndritur. Më vjen mirë që fëmijët po bëhen pjesë e fushatës “green” për Tiranën. Ju kam ndjekur në të gjitha mbjellet tuaja dhe thoja: ‘Sa mirë, do të mbjell edhe unë me djalin tim’. Në këto kohë kaq të vështira dhe të ngarkuara kemi nevojë të shohim gjelbër, të punojmë ‘green’ dhe t’i mbajmë larg gjërat e mërzitshme, dhunën e ndodhive të fundit në kryeqytet. Të falenderoj shumë që më berë pjesë të një fushate kaq të bukur”, u shpreh ajo.

Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që të ringrihen më të fortë dhe të bëjnë paqe me natyrën e me njëri-tjetrin, pas këtij viti kaq të vështirë. “Ka ardhur koha të ringrihemi më të fortë, të bëjmë paqe me natyrën dhe me njëri-tjetrin. Elona e tha shumë bukur, mbjellja e një peme është edhe një lloj terapie mendore, është të lidhesh me rrënjët e qytetit tonë”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë shtoi se qytetet bëhen për njerëzit dhe për këtë arsye hapësira më e madhe duhet lënë për ta.

“Më inkurajoi shumë mesazhi i ministrit të ri të Transportit në Amerikë, i cili tha se qytetet bëhen për njerëzit, jo për makinat. Patjetër, duhet të mendojmë për transportin, por gjithmonë e më shumë për një transport të qëndrueshëm, elektrik, për më shumë transport publik dhe biçikleta. Kur shteti më i fuqishëm në botë thotë të njëjtat gjëra, nuk jemi aspak jashtë kontekstit”, përfundoi Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb