Dhjetë bashkitë, të cilat përshkohen nga gazsjellësi TAP, do të kenë kapacitete të shtuara për të përballuar zjarret. Gazsjellësi Trans-Adriatik dhuroi 16 mjete të reja zjarrfikëse për këto bashki si dhe trajnoi personelin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Në aktivitetin për dorëzimin e këtyre mjeteve ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, zëvendësministrja Dallëndyshe Bici, përfaqësues të trupit diplomatik, TAP-it dhe kryetarët e bashkive përfituese.

Ministri Peleshi e konsideroi si jashtëzakonisht të rëndësishëm kalimin e gazsjellësit në vendin tonë, sidomos pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë, si dhe çmoi TAP-in për mbështetjen që ka treguar dhe tregon për banorët dhe institucionet vendore në territorin ku ai operon.

“Sot jemi në një ndër shprehjeve të përgjegjshmërisë sociale, pra mbështetjes komunitare që ky projekt jep përmes furnizimit me 16 mjete zjarrfikës për bashkitë që bien në gjurmën ku kalon gazsjellësi TAP. Rritja e kapaciteteve për mbrojtjen nga zjarri do të thotë një siguri më e madhe për mbrojtjen e këtij segmenti gazsjellës, por nga ana jonë ajo do të thotë rritje e kapaciteteve të bashkive tona, prefekturave, komuniteteve tona për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, ku zjarret janë bashkëshoqëruese gjatë gjithë vitit.”- u shpreh ministri Peleshi, i cili u bëri sërish thirrje njësive të qeverisjes vendore të aplikojnë me projekte për të fituar fondin 10 milionë USD të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe njoftoi një tjetër projekt për modernizimin e sistemit të Emergjencave Civile.

“Kemi dhënë këtë vit rreth 10 milionë dollarë për bashkitë, por është e rëndësishme që vetë bashkitë të reflektojnë brenda vetes tashmë me kapacitete të shtuara. Projekte të tjera janë duke ardhur. Janë 10 milionë euro që pritet të aktivizohen nga qeveria italiane që do të shtojnë flotën e zjarrfikësve, por jo vetëm.”

Drejtori menaxhues i TAP-it Luca Schieppati nënvizoi se gazsjellësi që ai menaxhon ka investuar rreth 14 milionë euro në projekte sociale në zonat që ai përshkon.

Ky donacion kap vlerën e 2.1 milionë eurove dhe konsiston në 16 mjete të reja, pajisje ndihmëse dhe trajnimin e personelit zjarrfikës të bashkive, Korçë, Devoll, Maliq, Skrapar, Poliçan, Berat, Dimal, Roskovec, Lushnje dhe Fier.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb