Shefja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini është shprehur pozitivisht duke thënë se ky vit do të jetë intensiv për përgatitjet për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.

Teksa fliste për synimet e politikës e unionit, nga Konferenca vjetore e Ambasadorëve të BE-së për 2018-ën Mogherini u ndal te Ballkani, duke theksuar se “duhet të vazhdojmë me vendosmëri, këmbëngulje dhe më lejoni të them kokëfortësi–punën tonë dhe me Ballkanin”.

“Viti i kaluar ishte tepër intensiv, por muajt e ardhshëm do të jenë edhe më vendimtar”, deklaroi shefja e politikës së jashtme duke paralajmëruar një marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi deri vitin e ardhshëm.

“Pak para verës ne festuam së bashku marrëveshjen midis Athinës dhe Shkupit dhe brenda pak javësh do të zhvillohet një referendum në atë që shpresoj se do të bëhet Republika e Maqedonisë Veriore. Do të jetë gjithashtu një vit intensiv për përgatitjet për hapjen e negociatave të pranimit si me këtë vend dhe me Shqipërinë. Më lejoni të jem e qartë: kjo mundësi duhet të kapet tani! Nuk është një lëshim që po bëjmë ne, është në interesin e qytetarëve europianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Europian. Në Ballkan, sot është më se e qartë se Bashkimi Europian është pikë reference. Më lejoni t’u them diçka edhe atyre që kanë frikën se fuqi të tjera po bëhen gjithnjë e më të pranishme në rajon: për sa kohë që ne të jemi të pranishëm në rajon, nuk ka hapësirë për të tjerë”, tha Mogherini.

“Por kjo shkon përtej kontinentit tonë. Jemi dhe mund të jemi pika referimi në mbarë botën. Sepse në të gjithë botën ka një kërkesë në rritje për praninë e fortë të Evropës në çështjet globale. Shumica prej jush e shohin këtë shumë më tepër sesa ne në Bruksel”, shtoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb