BRUKSEL

Shefja për politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini tha në konferencën për shtyp pas dhënies së rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave nga KE për Shqipërinë se vendi i ka kryer detyrat dhe se tani është radha e BE-së.

Në konferencën me Johannes Hahn, Mogherini foli për zhvillimet e prekshme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri që sipas saj sollën dhe rekomandimin pozitiv.

“Ajo që do të lexoni në raporte flet për reformat thelbësore në gjyqësor në Shqipëri si rezultat i dëshirës së popujve për ndryshim. Kemi theksuar me partnerët në punë tonë se ata kanë bërë një zgjedhje thelbësore, që kanë si synim thelbësor anëtarësimin, një nga gjërat e pakta që bashkon rajonin dhe mbështetja e rajonit duke bërë këtë zgjedhje. Liderët në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut janë angazhuar në reforma.
Politika e zgjerimit na çon në ADN-në e procesit të zgjerimit të BE-së, duke kaluar plagët e luftës dhe duke përdorur integrimin si një mjet thelbësor për pajtim. Punë thelbësore është bërë për të vlerësuar progresin e bërë. Falënderoj ekipet që kanë punuar për këto raporte. Kanë marrë informacion jo vetëm nga autoritetet por dhe shoqëria civile.
Gjatë viteve të kaluar por sidomos vitin e kaluar BE ka investuar shumë në Ballkanin Perëndimor. Angazhime të nivelit të lartë. Kemi dëshmuar shumë arritje impresionuese. Në Maqedoninë e Veriut kanë përqafuar mundësinë e reformave, marrëveshja e Prespës.
Në Shqipëri dua të theksoj reformën e drejtësisë. Ka vijuar në vlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Në vizitën e fundit në Tiranë u impresionova dhe mendoj se Shqipëria ka një mbështetje të fuqishme nga populli për anëtarësim në BE. Këtë vit për herë të dytë KE rekomandon hapjen e negociatave. Bazohet në arritje të prekshme. Shqipëria i ka kryer detyrimet e saj, është radha e BE-së të bëjë punën e vet. Pas rekomandimit nga KE, topi është në dorën e KiE”, deklaroi Mogherini.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb