Nga: BESIM CENGU*
Vëllimi poetik “MISCELLANEA 10 “ botim i Aparkeas-Abraxas, 2015-poezi 1990-2015, i Moikom Zeqos përcakton atë shprehjen që vetë poeti e thekson se “poezia ndihmon të zbulojmë atë që ende nuk e dimë…”. Çdo libër që boton poeti e konsideron si sfidë ndaj vetvetes, dhe në fakt kështu është. Poezitë e këtij vëllimi janë përzgjedhur te dorëshkrimet e pabotuara…Dorëshkrimet e pabotuara! Sa shumë dorëshkrime të pabotuara ka ky sfidant i letrave të sotme shqipe! Plot, plot fletore e blloqe të rregullta dhe të ruajtura me kujdes. Se kush pat thënë dikush i ditur se “që ta kuptosh plotësisht një krijues, lexo dorëshkrimet e tij”. Moikom Zeqo është gjithnjë i paplotë sa të mos i njihen dorëshkrimet. Një ditë më tha: “I kam thënë Epidamnit (djalit) se mund të bëni ç’të doni me të gjithë librat e bibliotekës, por dorëshkrimet m’i ruani. M’i ruani se aty jam unë i plotë”.
Pasi botoi “MISCELLANEA 10 “, vëren se kishte lënë një cikël poetik të natyrës së poezive të këtij vëllimi të harruar në një prej blloqeve të panumërt. Një cikël marramendës mbushur me intensitet mendimi dhe metaforash ku “Thepat e agavieve e plagosin agun” e “Shqiponjat e detit mbi zenite rrinë”. Thjesht një tufë poezish të magjishme dhe që vetëm universi i mendjes moikomiane i prodhon. Poezi të mrekullueshme moderne.
Dhe sapo ka botuar librin më të ri “MISCELLANEA 10”, pjesë e “mbretërisë poetike moikomiane” siç e ka cilësuar studiuesi Fatmir Alimani.
Moikom Zeqo shkruan për njerëzit që jetojnë mbi tokë, e jo për një pjesë, prandaj ai është universal.
Poezia e tij është guxim, rebelim, sinqeritet, pasion, mjeshtri dhe ndjeshmëri e hollë dhe e shumëfishtë artistike dhe skalitje e përkorë e figurës poetike. Ai e di dhe është i vetëdijshëm se është koha për një vështrim të ri poetik, për një formë të re, për një mendim të ri, për një fjalë tjetër që rrëmben, që tingëllon tjetër lloj, që përcjell një mesazh tjetër, që le një shije tjetër ndryshe. Kam mendimin se problemi substancial i krijimit artistik që prej qytetërimit të lashtë e deri më sot ka qenë raporti i përmbajtjes me formën që sintetizojnë të tërën, veprën e plotë artistike që sipas autorit përcjell mesazhin e arrin qëllimin për të cilin shkruhet. Jo më kot Moikomi e vlerëson krijimin e vet poetik në këtë drejtim. Në të kundërtën nuk e konsideron të tillë.
Në shekullin e XIX ky raport u sintetizua në pyetjen e famshme retorike të Zhorzh Sand-it kur thoshte: “Venusi i Milosit është i përsosur. Ashtu qoftë! Po ç’më duket një kokë e bukur gruaje kur brenda nuk ka tru?” Prej kur u shtrua kjo pyetje e deri më sot arti ka ecur në hulli kërkimi të pambarimtë artistik edhe duke përsosur formën edhe duke pasuruar përmbajtjen. Prej këtij kufiri kohor ndarës cilësisht rolin më të madh e ka luajtur “mbretëria e metaforave dhe filozofimit poetik”.
Simbolizmi francez është ndoshta shprehja sintetike e nisjes së poezisë së re. Ky revolucion artistik përmbysi koncepte e ndërtoi forma krejt të reja e krejt të ndryshme që u bënë avangardë e një krijimi të përmasave të tjera të ndryshëm në formë, gjuhë, figura, trajtim e shtjellim idesh, përdorimin e teknikaliteteve të reja. Verlen, Rembo, Bodler, Malarme etj, apo Po, Whitman e Wallace në Amerikë, por edhe Lermontovi, Hlebnikovi dhe Majakovski në Rusi , Georg Trakli dhe Rilke ne poetiken gjermane, Rene Char dhe Sent John Pers në Francë, Kavafi, Elitis në Greqi, Stanesku dhe Soresku në Rumani, Ungareti në Itali etj, etj u bënë “mentaliteti i ri artistik”, “të përjashtuarit prej rregullit”, “planetët që fluturonin në një orbitë të re krejt të panjohur prej artit tradicional”. Fillimisht për të mos u kuptuar e për tu quajtur absurdi i madh i shoqërisë, e më pastaj, për tu thithur e vlerësuar realisht si kërkesë e kohës e domosdo e saj.
Para së gjithash, sipas Moikom Zeqos, rëndësinë më të madhe e ka fjala. “…A është funksioni i Poezisë të gjejë fjalë të reja, më të abstraguara, më shndritëse (luçiferriane), apo të ndreqë një protokoll të moçëm, të përkryejë simetrinë e një raporti fjalësh, apo ta çojë e ta tkurrë një mendim e një ide në zgripin e përpiktë të një gjeometrie euklidiane? A është kjo përkryerje e sipërfaqes, e së dukshmes sipas kërkesave të një sqime të pamundshme, apo të një argjendarie zbukuruese? Po a mund të zhbëhet një qëllimshmëri përmasash për të zëvendësuar (alternuar) me një shpërthim të kuptimshmërisë antike dhe ftillëzuese të fjalëve?”
Pyetjeve drithëruese, realisht thelbësore në artin e sotëm modern që shtron vetë poeti u jep përgjigje me sukses nëpërmjet magjisë së fjalës në poezitë e tij si epërsi e kreativitet kundrejt “agresionit” virtual internetik që po deformon tragjikisht krijimin artistik si magji e njerëzimit. Mendja njerëzore ka krijuar botën virtuale, ndaj është e destinuar ta sundojë atë.
… Edhe në këtë libër të tij, të cilin autori e quan “Orëndreqësi Qiellor”, si një kambanë që jehona e tingujve të saj nuk resht, poeti te poezia “Revolucioni botëror” shtron pyetjen që do të shoqërojë njerëzimin gjatë shekullit të XXI:
…”Email-et më rrethojnë
kudo si një kor,
Ngjan se materja ka humbur
pa cak.
Si ta bëj një revolucion botëror
Në një delfin, tre yje e
dhjetëra zambakë?”

*Besim Cengu, autor i disa librave me studime artistike dhe historike

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: