Nga: FATMIR MINGULI*

TIRANE – Në kohën e sotme të shkruarit letërsi është bërë, ose duket se është bërë diçka e mundimshme dhe e vështirë. Trashëgimia letrare botërore është e pafundme dhe ngjan sikuar janë thënë të gjitha gjërat dhe shpesh motivet përsëriten si një tautologji. Letërsia bashkohore e ka një problematikë me objektin e saj, domethënë çfarë do të thotë, të përsërisë apo të ketë risi-kjo përbën gati një ankth të vërtetë për krijuesin. Italo Calvino thotë se “letërsia duhet ta zbulojë dhe ta rizbulojë realitetin dhe universin”. Ky është thelbi, ai që nuk e kuptojnë mediokrit dhe grafomanët e pafund që janë shumëfishuar mjerueshëm dhe shqetësueshëm në ditët tona. A duhet të imitohen ngjarje, intimitete të vetmisë së fildishtë dhe të kotë, ngërçet seksuale, detajet e një përditshmërie të plogët dhe rutinë? Shekulli i XXI është shekulli i një triumfi të paparë i shkencës dhe i teknologjisë, kibernetikës dhe sundimit virtual të imazhit (virtuales) mbi realitetin, shekulli i skenarëve apokaliptikë të ekologjisë, të klonimit laboratorik, të njeriut që kërcënon natyralitetin dhe ekuilibrat e natyrës si kurrë më parë. A mund t’i shmanget letërsia e sotme këtyre temave ekzistenciale por edhe morale dhe filozofike? A mund të vazhdohet me modelet e vjetra provinciale të letërsisë? A duhet kapërcyer provincionalizmi i letërsisë shqipe për ta emancipuar? Dekadën e fundit koleksioni i librave të Moikom Zeqos me prozë të shkurtër ka ngërthyer dhe artikuluar këtë problematikë duke e veçuar në këtë hulli krijimtarie shpesh të çuditshme.
Libri
Kështu po ndodh edhe me librin më të fundit të Moikom Zeqos titulluar “Emrat e Zotit”. Është një libër me tregime, një pasim i përkorë i vëllimit të mëparshëm “Eunukët ëngjëllorë”. Është një vazhdim marramendës i prozës së shkurtër të botuar në disa libra vitet e fundit. Ky libër është veç të parëve sepse aty shfaqen tregime tjetër lloj, me një nivel më të lartë, me një befasi të një origjinaliteti të veçantë. Në se do të përcaktoja saktë tharmin e këtyre tregimeve, do të ishte ai se ato janë një apoteozë për mendjet e ndritura të njerëzimit.
Ndryshe, këto tregime janë rezultate të zgjidhjeve ekuacionale të koncepteve hapësinore. Duke ngërthyer teori të mëdha të intertekstuara brenda tregimeve dhe sinopseve, ato njëkohësisht janë me këmbë në tokën shqiptare dhe jashtëshqiptare. Janë përherë substancë, pavarësisht formave alternative që nuk kanë fund. “Emrat e Zotit” është një libër risjellës, ripërtitës i fenomeneve të ndryshme të jetës njerëzore të pleksura me ngjarje të mëdha në të shkuarën dhe në të tanishmen. Gjithsesi autori Moikom Zeqo tek trajton fenomene të anormales dhe të trillerit, të reales dhe virtuales, nuk harron të ardhmen kaq shumë të diskutuar ndër shkencëtarë e filozofë sidomos dhjetëvjeçarët e fundit. Dhe për më tepër e ardhmja sipas trajtimit filozofik në tregimet e ndryshme të librit “Emrat e Zotit” nuk mbështetet as në alienët e Sitçin- it dhe as në teoritë e një Atlandide të rigjetur. Mjafton të lexosh tregimin “The world without us” – “Bota pa ne”- dhe do të kuptosh se e ardhmja është një sintezë e të bëmave të shkuara ndër shekujt që ka kaluar njerëzimi. Ja se si e trajton diku në këtë tregim Moikom Zeqo: “Kam lexuar kaq shumë libra me skenarë apokaliptikë, sa jam lodhur. Fundi i botës ka një rutinë sfilitëse, por dhe qesharake. Tmerri kthehet kështu në një lodër mendore.” Duket qartë ideja e një fundi bote rutinë dhe sensi modern filozofik për një të ardhme me “fund bote”! Prandaj është e nevojshme të theksohet se ky libër që kemi tani në duar është një komplementar i librit të mëparshëm po me tregime “Eunukët ëngjëllorë”. Por nuk është thjeshtë nocioni i komplementimit, një plotësimi efektiv. Jo, është diçka tjetër më e madhe, më ngacmuese.
Është fakti se në librin “Eunukët ëngjëllorë” Moikomi trajton më shumë sistemet mistike të shpërndara nëpër vende dhe kohë të ndryshme, ndërsa te libri “Emrat e Zotit” ai kalon në trajtimin e sistemeve shkencorë gjithëpërfshirës. Këto fakte i ndeshim në tregimet e bukura dhe njëkohësisht krejt moderne si “Parafjala për infinitin”, “Dorëshkrimi”, “Perpetum mobile”, “Universi së prapthi” etj, ku shtjellohen probleme të ekzistencializmit njerëzor, por jo në planin mistik, por në atë shkencor. Tek flet me gjuhën e shkrimtarit erudit, tregimet e këtij libri marrin përcaktimet më të guximshme, detyruar për nga vetë subjekti apo stili narrativ krejt ndryshe nga sa lexojmë në shkrimtarë shqiptarë apo të huaj. Ajo që të bie menjëherë në sy, është se në çdo tregim përpunohen ide, thua se Moikomi ka strukturuar “teknologjinë e përpunimit të ideve”. Duke mos qenë Jonesko, ai ndërthur nëpërmjet absurdit temat më të diskutueshme të jetës së sotme njerëzore. Janë pikërisht universialiteti i mendjes njerëzore, infinitiviteti si teori, këndvështrimet ndaj një bote të kthyer mbrapsh, fuqia e dorëshkrimeve të vjetra, bota pa njerëz, magjia e trillerit etj.
Në tregimet e shumta të librit “Emrat e zotit” shfaqet si demiurg i një tregimi origjinal që nuk përqaset aspak me traditat e deritanishme të shkruara të kësaj gjinie. Subjekti i tyre pështjellon në thellësi ide universale duke mos hyrë kurrë në “subjeket për subjekte”. Dhe lexuesi ka për të kuptuar shumë shpejt që midis universales dallohen brigje të tokës shqiptare, kësaj toke që në gjenezat e saj. Jo vetëm kaq! Moikom Zeqo shihet si një shkrimtar i vetëm në llojin e vet. Në tregimin “Emrat e Zotit” Moikomi shkruan: “Çdo projekt universal është utopik vetvetiu. Mendja e kufizuar njerëzore e ka të vështirë (të pamundur) të perceptojë (ta kuptojë) idenë e infinitit. Pikërisht Zoti është infiniti.”
Është ky përkufizim që e çon përpara idenë themelore të “Emrave të Zotit”. Është ideja më themelore e librave të Moikomit.
Librat e Moikomit flasin për një kokëfortësi të paepur. Për të qenë krejt ndryshe nga të gjithë. Nuk i tutet tradicionales. Tallet me të ashtuquajturit “baballarë të modernizmit në letërsinë e sotme”, adhuron shkrimtarë të tipit Umberto Eko dhe Milan Kundera. Eshtë eseist i përkorë ku idetë e shpallura të tij rrjedhin si degë të shumta lumenjsh malorë që derdhen vrullshëm në detin e letërsisë moikomiane. Duke qenë eseist i gjithanshëm di të vërtitë mendimin filozofike me subjekte mikluese siç është tregimi marramendës “Universi së prapthi”, ku ngërthimi i gazetares së re dhe simpatike tiranase me personazhin, shkencëtarin e semiologjisë Makabe Zaharia tejkalon bukuritë e shumë tregimeve të letërsisë shqiptare në prozën e tregimit të shkurtër.
Makabe Zaharia, tashmë një njeri jo më enigmatik është pjesëmarrës në shumë tregime të librit në fjalë, madje ai duket sikur është rojtari i këtij libri. Të jesh rojtar nuk është e lehtë e për më tepër kur “ruan” filozofinë e mirfilltë. Në tregimin “Dorëshkrimi”, veç konceptimeve me veshje filozofike, paraqitet i plotfuqishëm një Makabe Zaharia që “del në mbrojtje” të ideve të Borghesit, Shekspirit, Kantit të madh, Artur Rembosë, Wallas Stivens, etj pa harruar sigurisht, Platonin dhe Leonardo Da Vinçin. Ky dorëshkrim me emrin “Ofelia me mjekër” i Makabe Zaharisë është sinonim i pafundësisë së mendimit, zhdukje e mureve kufitarë të llojeve e sistemeve filozofikë, aty ku ato intersektohen njera me tjetrën, jashtë kufijve kohorë, duke shfaqur mendime nga më madhështoret që njerëzimi ka memorizuar jo vetëm në libra. Kjo është dhe okielo magjike e narracionit të Moikom Zeqos, një magji që dhe ajo vetë nuk ka korniza, është fluide, e pakapshme dhe njëkohësisht rezultative në përpjekjet e saj. Tregimet “Nestos”, “Pulëbardha”, “Merimanga e Louise Borghesit” dhe disa të tjera janë sfone të një magjie të tillë. Të lexosh librin “Emrat e zotit” intuitivisht ke mësuar majat piramidale të koncepteve të pafundësisë. Lexuesi duket sikur ndodhet njëkohësisht përpara një ekrani plazmor gjigand i instaluar në qiell, ku me një të lëvizur të gishtit tregues hap skena nga më të ndryshmet ku midis vendeve të rruzullit tokësorë shfaqen me shkëlqim argjendi Durrësi dhe Tirana, dy qytetet që përfundimisht ndërtuan boshtin qëndror të Shqipërisë.
Është një shans për letërsinë shqipe që të kemi një autor si Moikom Zeqo që dijet e tij të pafundme sintetizohen me shumë delikatesë e dashuri në tokat shqiptare. Është ky një fenomen që Moikomi e ka në çdo libër të tij, e ka në shumicën dërrmuese të prozës dhe poezisë së tij. Por në librin “Emrat e Zotit” ndeshemi me origjinalitete të reja, ku metamorfoza e vazhdueshme e narracionit të Moikomit jep tekste të ndryshe, libra të ndryshëm nga njeri tjetri por që kuptohet shume lehtë që janë produkt i të njejtit njeri. Është edhe kjo një shfaqje reale e jetës në shikimin virtual. Larg snobizmit. Larg lojrave me fjalën që mbush fletë romanesh me qindra faqe. “Snobizmi i modernitetit, – thotë Moikom Zeqo në tregimin “The world without us” – megjithëse aspak i përjashtueshëm në kohën tonë, ka marrë gradualisht një rëndësi të pazakontë.
Dhe me të vërtetë ai ngre idenë e rëndësishme filozofike: “Shkatërrimi (destruktimi filozofik) është dhe sensi i pastrimit”. Në këtë shkrim nuk mund të lihen jashtë vëmëndjes së një kritiku letërsie edhe prozat e shkurtra, shumë të shkurtra, të quajtura sinopse, që janë nga më të koncentruarat në prozën bashkëkohore, të cilat janë një grup moderimi në shërbim të tregimeve të gjata. Përsëri ndeshemi me konceptin e pafundësisë, sepse çdo tregim shumë i shkurtër mund të ishte edhe shumë i gjatë dhe e kundërta. Kumti, mesazhi janë më të rëndësishëm! Më vjen mirë që Moikomi në këtë libër është dhe analizues dhe vjelës i mendimeve universale, biblike, të qytetërimeve të mëdha të njerëzimit, thuaj se aty ai gjen të vërtetat e filozofisë së kombinuar, asaj filozofie që nuk e ka një kufi fundor. Është ndoshta dhe një mekanizëm sekret i fshehtë, ku çelësin e vënies në lëvizje të tij, Moikomi e ka gjetur.
* FATMIR MINGULI, Kritik
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: