Nga FATMIR MINGULI

Nuk kishte dalë nga shtypi vëllimi i dymbëdhjetë i kolanës unikale poetike “Miscellanea”, kur dy libra të tjerë po aq të mëdhenj po lindnin në mënyrë të çuditshme. Dy libra-simbiozë, të papritur, por jo të pavetëdijshëm, ku tronditja e poetit vazhdon udhëtimin e saj në botën e pafundme të poezisë, duke na thënë se poezia nuk ka vdekur, ndoshta ka vdekur mendimi i disave për të. Në librat e kolanës “Miscellanea”, studiuesi i përkorë i poezisë moderne do të ndjente se Atlantida poetike e Moikomit po ngrihej dalëngadalë nga thellësitë e nëndetit poetik, duke reflektuar kujtesa të zhytura në harresat e kohëve. Janë metaforat moikomiane, metafora tashmë të individualizuara, lehtësisht të dallueshme për atë që njeh poezinë e vërtetë.

Është fjala për dy librat poetikë “Deti kanibal” dhe “Plagosja e kujtesës”, të cilët jo vetëm nga brendia, por edhe nga vëllimi i tyre janë vëllezërit e mëpastajmë të të dymbëdhjetëve. (Kolana “Miscellanea” me 12 vëllime) Poeti i shquar amerikan, Ilya Kaminsky, shkruan për poezinë e Moikom Zeqos: “Është gjë e rrallë në ditët tona të gjesh një poet që nuk është vetëm interesant apo mjeshtër i artit të tij, por edhe i pashtruar, i egër, i papërmbajtur, një poet i dimensioneve të mëdha dhe komplekse, që nuk krijon vetëm një portret njerëzor, një komunitet apo një pasqyrim, por bën një kozmologji të tërë, siç është ‘Komedia hyjnore’ e Dantes, ‘Elegjitë duinase’ të Rilkes, ‘Katër kuartetet’ e T. S. Eliotit ose në ditët tona edhe me ‘Cantico Cosmico’ të Ernesto Cardenal-it”.

Ashtu si vija e horizontit në bregdet, që për forcë është një konvencion, një marrëveshje, poezia i ngjan shumë kësaj vije, një vijë që hap tejpamësitë. Kjo mund të thuhet për poezinë normale, mediatike, por kurrsesi nuk është një përkufizim për poezinë e Moikom Zeqos. Ashtu si vija e horizontit që është në ndryshueshmëri të vazhdueshme sepse fluiditeti i saj shihet me sy të mprehtë, edhe poezia e Moikom Zeqos, e përcaktuar si formë është në lëvizje të përhershme. Ajo është e përfshirë nga kombinimi ashtu si “pa urdhër” i vargjeve që lëvizin brenda vargjeve, aty ku “Deti kanibal” jo vetëm gëlltit vargje, por edhe “Kujtesa plagoset” duke e bërë poezinë të vuajë. Kjo ndodh sot e kësaj dite, e prandaj poezia që bën Moikom Zeqo pluskon si sondë, herë në zymtësinë e thellësive të mendimit njerëzor e herë shëron plagosjet që poezisë i shkaktohen… Në parafjalën që Moikomi ka shkruar në “Miscellanea 12” është kjo frazë: “Krijimi është gjuha e çliruar, por edhe e artikuluar në horizonte më të epërme dhe gati të panjohura.” Konkluzioni është i qartë. Pikërisht dy librat e fundit të analizuara në këtë triptik, “Deti kanibal” dhe “Plagosja e kujtesës” na thonë se poezia nuk ka mbaruar, se Atlantida poetike lëviz drejt sipërfaqeve aq shumë të lakmuara të magjisë që poezia e vërtetë krijon.

Pluskimi poetik është nënujor dhe ajror, prandaj Moikomi shpreh në poezinë “Jam plot ekuinokse”, nga libri “Deti kanibal”: Them në pranverë Fjalë të mbushura me Hënë Në det dhe përjetësi Në këta tre libra Moikom Zeqo jo më kot i kthehet e rikthehet poetit më modern të antikitetit, Pindarit, i cili mishëroi sistemin e pakufishëm metaforik. Moikomi me shpejtësinë e ndryshimit të këtij sistemi që në botimet e hershme të tij dhe tashmë ka krijuar “transin universal poetik” e duke triumfuar mbi atë çka ekziston në sistemet e ndryshme poetike. Në librin e dymbëdhjetë të “Miscellanea” gjejmë këto vargje: Shtypi është një panair Për vampirët letërthithës Po unë me protoplazmën E fjalëve të mia E eksperimentoj Një qytetërim të ri. nga “Metaforë molekulash” Dhe qytetërimi i ri është poezia e tij, që përben atë lloj arti madhor siç është “ars combinatoria”. Me këtë art, në të tre librat e fundit poetikë, përmbajtja stoike e poetikës së Moikomit bëhet fluide me format e saj të shumëllojshme.

Trevargëshet e “Plagosja e kujtesës” nuk kanë asgjë të përbashkët me tercinat danteske dhe as me haikun japonez; ato formojnë një unitet solid gati të paprekshëm nga stile e forma të njohura. Ato e kanë zanafillën në kohë më të hershme dhe tani ato janë trevargëshe unikale. E njëjta gjë thuhet edhe për strofat dyvargëshe të ashtuquajtura “strofa distike”. E po kështu edhe për katërvargëshet sidomos në gjetjet me sonetet. Trevargëshet e Moikom Zeqos janë romani, filmi, legjenda e jetës sonë, janë shprehje më koncize se vetë jeta, janë pikërisht ato frymëzime që vazhdojnë sa një frymëmarrje e që ndërkohë poeti i ka thënë të gjitha. Në “Detin kanibal”, antisonetet kombinojnë katërvargëshet me trevargëshin moikomian, e ndërsa këto sonete rrethohen me poezitë ku strofa është pa ndarje e ku poezitë e tjera të këtij libri ngërthejnë me harmoni të çuditshme disa strofa dyvargëshe, trevargëshe dhe të tjera formacione të poezisë. Kemi të bëjmë jo vetëm me metaforizmin klasik pindarik, por me një formatizim metaforik të poezisë në një transformim të përhershëm.

Poezia e Moikomit dallohet edhe për poezinë e tij në prozë, duke e bërë të vetmin shkrimtar që të kultivojë këtë lloj shkrimi. Të mos harrojmë se gjeneza e prozë poetike të Moikomit fillon herët, që në botimin e librit- emblemë “Kështu foli Mona Liza”. Këto poezi janë pothuaj në çdo libër të kolanës poetike “Miscellanea”. Nese këta tre libra përbëjnë një triptik, do thosha se ky është triptiku i alkimisë së vazhdueshmërisë së poezisë moikomiane. Studiuesit që ndjekin nga afër veprën e Moikomit venë re se ai poezinë dhe jetën i ka të pandashme dhe të papajtueshme, në kontekstin e kërkimit të vazhdueshëm, sepse poezia është një mënyrë jetese, një modus luftimi me vetveten. Prandaj ai, Moikomi nuk shteron, edhe kur sëmundja e pabesë i ka trokitur në derë, edhe kur shumë do besonin se do shterej, jo se ai nuk do kishte më çfarë të shkruante por se “sëmundja do ta vinte përfund”. Në tre librat e fundit. Moikomi flet shumë për jetën, por edhe për vdekjen.

Një poet modern ashtu do të vepronte, por jo si Bodleri dhe as si Leopardi. Më poshtë po sjell tri koncepte marrë nga secili libër i këtij triptiku poetik. Në librin “Plagosja e kujtesës”: “Nikotina, argjendari antike, m’i stolis duart e mia të vdekjes. Nuk do t’ju shoh dot më. Se për t’ju folur kam kohë që s’ju flas.” Në librin “Deti kanibal”, Moikomi ka kompozuar akrostikun “Onufri”, ku lexojmë: “Ora e fillimit është ora e fundit, sepse çdo fund është edhe fillimi, ora e shpirtit nuk llogaritet dot nga Klepsidra, mekanizmat e kotë të minutave dhe të sekondave, ora e çastit është edhe ora e Amëshimit, ora e Lindjes është edhe ora e Vdekjes.” Në librin “Miscellanea 12”, në parathënie Moikomi shkruan: “Poezia ime ka synuar një origjinalitet, pra një diçka jo të përsëdytëshme. Vdekshmëria e poetit është paradoks i kuptueshëm. Por Poezia s’është thjesht njeriu. Mendoj se Poezia më ka shqetësuar infinitshëm dhe në mënyrë absolutisht përvëluese”. Siç shihet, dy shembujt e mësipërm janë prozë poetike dhe shembulli i tretë është një refleksion i poetit.

Proza poetike e Moikomit është plot muzikalitet, por pa rima e pa ritme konstante, shumë elastike, ku pindarizmi, siç e vëren me shumë sqimë eseisti i veçantë Vasil Vasili, është mbizotërues mes metaforave origjinale, ku proza është e copëtuar. Pikërisht pindarizmi dhe copitim e bëjnë prozën poetike të Moikomit të lehtë për t’u dhënë krah lëvizjeve lirike të shpirtit të tij, që nga oshilimet për të fantazuar e deri në kapërdredhjet e ndërgjegjes. Kjo përkufizohet më thjesht me vetë thënien e Moikomit: “Në optikën time ka qenë rikonstruktimi mendor i një sistemi metaforik, me elementë të panjohur, të pangjashëm. Gjithashtu, poetika ime e parapëlqyer është stili i ndërthurshëm dhe aforistik pindarik.” Me të vërtetë, Moikomi me metaforat e tij na mëson se ato, metaforat janë elasticiteti i pafund, janë arritja ku ngulmon çdo poet i zoti të kapë; ato marrin kuptimin e guximit, një guximi që tejkalon atë të zbulimit të formulave shkencore. Do të fus në një shishe Luçiferin Ta kthej në llambë elektrike! Kjo është edhe një nga guximet e Moikomit, ku nuk maskohet dhe pasioni i tij për fshehtësinë elegante të Hermesit.

Plagosjet e metaforizuara janë pikëllimet e mëdha të shpirtrave, zhdukja e kometave, koha që nuk kthehet më, frymëzimet e mbrame, kuptimet ndryshe të testamenteve dhe vdekjet që vijnë për të lindur të tjerët. Por dhe detet kanibale nuk mbeten mbrapa, aty ku erërat bëhen kryengritëse, aty ku më enigmatiku i personazheve, Makabe Zaharia krijon antisonetet e tij, ku Mona Liza ngre himnet e saj e ku Onufri sillet nëpër faqet e librave duke shpalosur psalmin apokrif. Dhe si për të çuar deri në fund ngjashmëritë krijuese që analizohen në këtë triptik, e fundmja e “Miscellaneave”, por jo e fundit në esencë, ngre shtrëngatat e nivelit zero, mëzi përqafon shenjat e zodiakut, dhe lexuesi njihet me botët e reja të krijuara nga Onufri. Moikomi nuk shteron. Është tashmë një fakt i pranishëm përherë e më shumë në mediat e specializuara. Fakti që poezia e Moikomit komentohet përherë e më tepër si një poezi e veçantë, si një poezi e pangjashme me asnjë lloj poezie tjetër.

Kritiku letrar shumë i njohur Agim Vinca shkruan kështu për librin më të fundit dhe për Moikom Zeqon: “Të uroj për këtë libër magjepsës, të paparë në letrat shqipe: pjellë e një imagjinate borhesiane dhe e një kulture universale! Një palimpsest, sui generis, vitesh (a)poetike e apokaliptike: 1994-2001; një darkë dionisiake vargjesh e metaforash… Askush deri më sot s’është kujtuar t’i quajë retë e qiellit ‘fakse të Migjenit’, mesazhe qiellore të poetit feniks e albatros njëkohësisht… Dhe iks gjëra të tjera fantastike!” Shprehjet “një darkë dionisiake vargjesh e metaforash…” apo “…retë e qiellit ‘fakse të Migjenit'”, janë në vazhdimin e përcaktimeve që edhe autorët e huaj, sidomos ata amerikanë, kanë dhënë për poezinë e Moikom Zeqos. Ndërsa Vasil Vasili, shkrimtar dhe eseist që jeton në Greqi, shkruan për motivet e figurave artistike të poezisë moikomiane: “Mund të flitet për pamje të reja të të njëjtit stil. E vetmja përkryerje e kësaj mënyre të shkruari është shtimi i befasisë së figurës dhe i sintezës së saj. Moikomi është një rrymë më vete për plazmimin e figurës. Figura e tij është e ngjashme me shpërthimin e fuqishëm të mendimit me dije shkencore dhe me alkimi poetike.”

* Shkrimtar eseist dhe kritik letrar, autor i shumë librave

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: