Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Ish-presidenti Alfred Moisiu mbështet pasardhë- sin e Bujar Nishani për ankimimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjit të pronave. Ish-kreu i shtetit Alfred Moisiu e cilëson si të drejtë të Nishanit këtë veprim.

“Kjo është një e drejtë e Presidentit të Republikës për ta dërguar tani, por unë mund të them këtë të paktën nga komentet që kam dëgjuar, që ky ligj, pavarësisht se mund të ketë mungesat e veta, është vlerësuar nga specialistët e huaj”, shprehet ish-presidenti.

Ish-Presidenti i Republikës deklaron se shpreson se Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e saj në këtë çështje. Ish-presidenti Alfred Moisiu e cilëson si të domosdoshëm ligjin e pronave, të miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë, të cilin Presidenti i Republikës e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se është antikushtetues.

Sipas Moisiut, mungesa e një ligji të saktë të pronave i ka sjellë vendit probleme të rënda, si vrasje, korrupsion etj… “Ishte një ligj që duhesh bërë se s’bën edhe ky duhet bërë për faktin se çështja e pronës është problemi më delikat që na ka krijuar edhe mungesë investimesh, edhe vrasje, edhe sherre deri në familje”, deklaroi z.Mosiu. Tri ditë më parë presidenti Nishani dërgoi në Kushtetuese ligjin për pronat, duke theksuar se cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut.

Presidenti i Republikës konsideron se çështja e pronës është e një rëndësie madhore për qytetarët shqiptarë dhe ka impakt të drejtpërdrejtë në të gjitha aspektet e përparimit të vendit, çka e reflekton qartë edhe përcaktimi i saj si një nga pesë prioritetet kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. “Ligji në tërësinë e tij cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut”, argumenton kreu i shtetit.

Bazuar në sa më sipër, Presidenti i Republikës informoi opinionin publik mbi vendimin e tij për të dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin në fjalë. Ndërkohë, edhe Partia Republikane bëri dje të ditur se do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri për kompensimin e pronarëve. Gjatë Asamblesë Kombëtare të kësaj force politike, kryetari Fatmir Mediu paralajmëroi se do t’i drejtohet gjykatës për ta rrëzuar ligjin e qeverisë, pasi sipas tij, skema e re e kompensimit të pronarëve shkel të drejtat themelore të ish-pronarëve, të cilët organizuan edhe një protestë të enjten e kaluar para godinës së Parlamentit. Madje, Mediu nuk ngurroi të shtojë se “ligji i pronave që miratoi mazhoranca është tërësisht korruptiv dhe do të varrosë të drejtën e pronës private në Shqipëri”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: