Vritet një shqiptar në Mykonos. Visar Dakrama, 34 vjeç është qëlluar me armë zjarri nga një shtetas grek. Ngjarja ndodhi në orën 6 të mëngjesit në një lokal në zonën e Skylabela.

Sipas të njëjtave informacione, 33-vjeçari më herët ishte përleshur me 34-vjeçarin shqiptar për një vajzë.

23-vjeçarja mësohet se është në gjendje jo të mirë psikologjike, ndërsa ka dëshmuar në polici për ngjarjen e rëndë, në të cilën ka qenë dëshmitare. Ajo ka deklaruar se ka pasur lidhje me shqiptarin dy vite më parë.

Ndërkohë, sipas burimeve të mediave greke, autori gjithashtu ka qenë i interesuar për vajzën dhe kur ka parë shqiptarin në gjendje të dehur të sillet keq me të ka reaguar.

Pas përleshjes 33-vjeçari ka shkuar në shtëpi, ka marrë një pushkë dhe është kthyer në lokal ku ka qëlluar dhe vrarë me plumb në kokë shqiptarin.

Pas krimit, vrasësi është vetëdorëzuar në polici. “Nga të dhënat e deritanishme të hetimeve policore, rezulton se më herët autori dhe viktima janë grindur brenda në dyqan dhe pasi janë larguar autori është rikthyer duke qëlluar viktimën”, deklaron policia greke.

“Pas ngjarjes, autori është arratisur, por në kuadër të kontrollit policor në orën 07:30 është paraqitur në Nëndrejtorinë e Policisë Mykonos dhe është arrestuar, ndërsa i është konfiskuar arma e gjahut e gjetur në automjet”, thuhet në informacion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb