TIRANË

Dy fermerë të mollëve nga qyteti i Korçës në një lidhje direkte me emisionin “Dritare me Rudinën” në News 24 u shprehën se ndihen të braktisur nga shteti. Njëri prej tyre tha se ka shkulur mbi 5 dynym tokë të mbjellë me kulturë molle, pasi nuk kishte treg për të shitur sasinë e grumbulluar.

“E dëgjova me vëmendjen ministrin. Unë desha ta nisja me një fjalë: Qumështi u thartua dhe mollët do t’i bëjmë uthull. Unë jam një fermer që kam shkulur 5 dynym mollë sepse nuk i kam shitur. Shteti është inekzistent në çdo lloj aspekti”, tha njëri prej tyre.

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi tha se shteti nuk është përgjegjës për të blerë mollët, ndërsa theksoi se fermerët hasin në vështirësi sepse nuk kanë kapacitet frigoriferik për të ruajtur prodhimet e tyre.

“Nuk t’i blen shteti mollët. Thuaj se nuk ke kapacitet frigoriferik. Ju erdhët dhe më thatë na rrit çmimin e referencës së mollëve nga importi dhe unë ua rrita. Problemi është tek cilësia dhe kapaciteti frigoriferik për të ruajtur mollën”,  shtoi ai.

Një fermer tjetër pohoi se prodhuesit e Korçës i shesin mollët dhe qershitë me çmime qesharake, ku të ardhurat nuk e justifikojnë dot koston e tyre.

“Çështja është vetëm me çmimin. Që nga 2017 për shkak të ngricës, fshatarët po lozin me jetën e fatit të tyre dhe po shpenzojnë të gjitha lekët që i kanë kursyer.  Qershitë dhe mollët po shiten me çmime qesharake”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb