Vënia e shiritit të kuq godinës së Urgjencës së spitalit të Laçit si pasojë e dëmtimeve në strukturë nga tërmeti i 26 nëntorit ka bërë që ky shërbim të kryhet nën një çadër. Çadra është vënë mbi një sipërfaqe të pa shtruar dhe me dhe, dhe erërat që fryjnë ngrenë flegrat e çadrës duke future edhe pluhurin brenda.

Kjo lë shumë për të dëshiruar për kushtet higjieno-sanitare ku kryhet shërbimi ambulator për pacientët e sëmurë, aq më tepër kur dihet se shumica e rasteve që trajtohen këtu kanë të bëjnë me vënie serumi dhe marrje të mostrave të gjakut për analiza. Nga ana tjetër personeli mjekësor duket i mobilizuar dhe i përkushtuar për punë.

Por edhe Shefi i Urgjencës së spitalit të Laçit, mjeku Agron Lala, pohon se kushtet e punës nuk janë optimal, e megjithatë përkushtimi i stafit të bluzave të bardha është maksimal.

“Dëmtimet e 26 nëntorit e nxorën të pafunksionueshëm Spitalin e Laçit, siç është thënë nga ekspertët. Na është ofruar kjo çadër, ku japim të gjithë ndihmën e nevojshme, urgjente, momentale, për banorët që mbulon kjo zonë për banorët e Spitalit të Kurbinit. Shërbimi është 24 orë, me mjekë, infermierë, meqë kushtet nuk janë aq optimale, është shtuar numri i personelit, jemi më shumë mjekë e infermierë, që do të mbulohemi të mbulojmë pa probleme këtë shërbim”, shprehet Agron Lala, mjek, shef i Urgjencës së Spitalit të Laçit.

Edhe gjatë përgatitjes së kronikës sonë, asistuam në ardhjen e një urgjence, pamjet e së cilës për mënyrën se si trajtohet pacienti, nuk kanë nevojë për koment, për vetë kushtet e kryerjes së këtij shërbimi në çadër, ku mund të rrezikohet edhe më tej shëndeti i të sëmurëve. Dimri që ka trokitur e përkeqëson më shumë këtë situatë, nëse organet kompetente nuk marrin masa për zhvendosjen e Urgjencës së spitalit të Laçit në një godinë më komode.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb