Në emisionin “A Show” në News 24 ishte e ftuar këtë mbrëmje kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ajo e nisi rrëfimin e saj me besimin e madh që ka në Zot, kaloi tek marrëdhëniet e saj dhe Presidentit Meta me Edi Ramën e në fund iu përgjigj akuzave për blerje votash.

Në studion e Adi Krastës, Kryemadhi pranoi që edhe LSI-ja ka bërë gabime gjatë jetës së saj politike.

“Për shkak të gjuhës së drunjtë të liderëve të lSI, që të mos flas se mos bëj gabime, nuk kanë treguar të vërtetën asnjëherë. Në këto 8 vite njerëzit që iu janë prishur interest kanë baltosur LSI-në. Kemi bërë edhe ne faje, gabime sigurusht, por është si ai njeriu që ha bukë e pretendon të mos bëjë thërrime”,- tha zonja Kryemadhi.

Ajo shtoi ndër të tjera se: “Arma ime më e fortë është sinqeriteti. Kjo më ka mbajtur mua atë që jam, ndryshe nuk do kisha rezistuar dot”.

Kryemadhi komentoi edhe marrëdhëniet e saj edhe me ish-ambasadorin e SHBA-ve në vendin tonë, Donald Lu.

“Marrëdhënia me Donald Lu ishte shumë e mirë. Kam menduar gjithmonë që zoti Lu dhe shumë të tjerë janë manipuluar dhe mashtruar në mënyrë permanente nga Rama dhe kabineti i tij”,- shtoi ajo.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb