TIRANË- Deputetja Monika Kryemadhi, një nga figurat me peshë në LSI-në, partinë aleate në qeverisje ka bërë deklarata të forta sot nga “Këndi i ekselencës” në Vila 24 në News24.

Shumë e drejtpërdrejt dhe pa dorashka përballë studentëve të ekselencës, Kryemadhi ka shfaqur sërish kritika ndaj reformës në arsimin e lartë, për të cilën tha se LSI e ka votuar me kushtin për miratimin e disa akteve nënligjore. Ajo deklaroi se reforma favorizon universitetet private dhe oligarkët dhe nëse një maturant e çon në Gjykatën Kushtetuese të gjithë studentëve nuk do t’u njihet viti i parë dhe gjithashtu edhe zgjedhjet në universitete nuk njihen. Kryemadhi tha se do vijojë punën e saj politikisht për ligjin e reformës së lartë. Ndërsa e pyetur nëse me përpjekjet e saj do ta rrëzojë qeverinë, ajo tha se nuk e dëshiron një gjë të tillë, duke parashikuar pasoja të rënda nëse qeveria rrëzohet.

A jeni ndjerë ndonjëherë të kërcënuar?
Gjithmonë jemi ndjerë. Se ne si parti politike prishim interesa të partive të tjera. Vendimet e tua politike i shërbejnë të gjithëve, shumicës por është një pakicë. Unë mes shumicës dhe pakicës zgjedh interesat e shumicës. Nëse një ligj prek interesat e shumicës…Po mos harroni se aty kanë interesa oligarkët. Ka edhe Shqipëria oligarkë që nuk dihet ku e kanë origjinën.

Para disa kohësh keni bërë një kundërdeklaratë ndaj Nikollës?
Nuk kam bërë kundërdeklaratë.

Ju keni thënë pseudoreformë…
Po të hysh të shikosh në rrjetet sociale LRI ka filluar me problemet e arsimit që në 2008. E keni dëgjuar fjalimin e Luan Ramës dhe Petrit Vasilit para votimit të reformës.

Kur u bë reforma në arsim në Paris, studentët u çuan dhe dogjën Parisin.

Janë 3 breza të humbur nga kjo reformë. Lindita Nikolla nga ana ligjore mund të mos ketë vetë problem por nëse ngrihet një student ose maturant e çon ligjin në Kushtetuese, të gjithë studentët e vitit të parë kthehen mbrapsht, e të gjitha zgjedhjet në universitete.

Në takimet që kam bërë me maturantët, unë u kam thënë mos bëni kompromise me dijet tuaja. Unë me ligjin e arsimit të lartë do vazhdoj ta bëj punën politikisht.

Doni të rrëzoni qeverinë?
Jo. Po rrëzova unë qeverinë sot, e di çfarë ndodh? Burgjet të shqyhen dhe të hapen. Policinë e ke rrugëve. Ke opozitën në protestë në shesh. Maqedoninë e ke në krizë, Italia shumë e dobët ekonomikisht. E di se çndodh kur fqinjët janë të dobët?

Po si do ta zhbëni reformën?
Reformën e zhbëjnë votat e brezit të ri. Nëse më voton mua e zhbëj reformën.

Ju keni një përfaqësuese në Ministrinë e Arsimit…
Zv.ministrja çfarë është, një rrogëtare në institucion. Një karamele që ua jep partive politike. Zonja Malaj është profesioniste dhe e njeh sistemin e arsimit dhe ne i thoshim pse e merr ti përsipër politikisht që t’u dalësh maturantëve. Thoshte e kam detyrim moral e politik.

Reforma favorizon universitetet private dhe oligarkët. PD-ja u bë palë sepse tha do ta çoj në Gjykatë Kushtetuese. Nëse do ta kishin çuar do bashkoheshim dhe ne.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: