Nga: DRITAN HILA*
Takimi i së dielës së fundit ndërmjet Edi Ramës, Ilir Metës dhe përfaqësuesve të partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ishte skena e fundit që tregoi mungesën e përgatitjes së palës shqiptare përballë zhvillimeve në vendin fqinj dhe degjenerimit politik që ka arritur faktori shqiptar matanë kufirit. Nuk ndihmuan në riparimin e situatës së rënduar as njohjet e Metës me ngjarjet dhe personazhet e jetës së Maqedonisë, as këshilltarët e importuar nga ish-Jugosllavia të Ramës me analizat edhe më të vonuara se ato të shtypit, e as shërbimi i jashtëm që është larg konceptit të një shërbimi i cili do të ishte faktor në zhvillimet në Maqedoni. Ndërkohë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi janë dy gangsterë politikë. I kanë bërë të gjitha: luftën, trafiqet e njerëzve dhe drogave, eliminimin politik e fizik të kundërshtarëve, bashkëpunimin me të huajt, tradhtimin e bashkëpunëtorëve e të votuesve kur ua ka dashur interesi. Asnjëri prej tyre nuk impresionohet nga prezenca e Ramës apo Metës. Ajo që kanë frikë, është dosja e pisllëqeve të tyre mbi tavolinë, prezenca e një alternative politike që i eliminon politikisht, rreziku i një përplasjeje që i eliminon fizikisht. Dhe të gjitha këto realizohen nga bashkëpunimi ndërinstitucional i shërbimit inteligjent shqiptar, i cili me sa duket duhet shkrirë dhe ristrukturuar i gjithi; shërbimet e informacionit financiar, që te ne nuk ekziston; shërbimi i jashtëm, të cilit nuk i kanë lënë tagër dhe erz. Por, me sa duket, mbi tavolinë ishte vetëm pjata me koran. Por kjo ishte më e pakta. Pyetja që vlen, është se çfarë do të bëhet me shqiptarët e Maqedonisë?
Që shteti ynë nuk ka një platformë për shqiptarët e Maqedonisë, që çështja shqiptare ka kohë që ecën nga fryn era, që përballë fqinjëve tanë të organizuar në institucione dhe me platforma të qarta nacionale ne jemi orkestër që luan me vesh, nuk do mund të kuptohet. Por kjo nuk është më e keqja nëse fillon riformatimi. Kryesorja është të përcaktohet qëllimi. Dhe tashmë pas ngjarjeve të Kumanovës, nuk ka kuptim të flasësh për bashkëjetesë. Aq më shumë kur kjo bëhet me skemat e vjetra të “bashkim-vëllazërimit”. Nuk ka kuptim të humbasësh në qerthullin gazetaresk nëse komandoja shqiptare ishte një “flamur fals” i shërbimit sekret maqedonas, ishin mercenarë të thjeshtë apo idealistë. Ngjarja ishte e fundit në historinë e vrasjeve, shtypjes politike, shpërnguljes masive dhe diskriminimit njëqindvjeçar të shqiptarëve nga maqedonasit. Është humbje kohe të mundohesh të argjinosh një eksperiment unikal si Maqedonia, ndërkohë që pala shqiptare është si peshku pa ujë në atë hapësirë, ndërsa ajo maqedonase si peshkaqeni në akuarium, ku preja e ka të sigurt vdekjen. Nuk ka pasur rezultat teoria e gjoja nacionalistëve shqiptarë që “me shtimin e lartë të popullsisë shqiptare, një ditë do jenë ata që do mbizotërojnë etnikisht”. Ka kaluar çerek shekulli, dhe shqiptarët kanë mbetur po 30% e Maqedonisë, jetojnë në po ato lagje pa infrastrukturë dhe shërbime, janë po aq të shtypur politikisht dhe po humbasin përditë komuna e hapësira që dikur ishin pastërtisht shqiptare. Shteti maqedonas është kujdesur që çorganizimin shqiptar, kolaboracionizmin e elitave të tyre, ta përkthejë në një dominim të maqedonasve edhe aty ku janë pakicë.
Ndërkohë shteti shqiptar, ajo që rëndom quhet Shqipëri, përpara se të jetë një hapësirë territoriale, është menduar nga themeluesit si bërthamë e idesë së bashkimit. Askush prej tyre kur ngriti flamurin në Vlorë, nuk mendonte se do të qeverisnin në gjithë trojet që banoheshin nga shqiptarët në ato mote, ashtu siç e kanë menduar, se më mirë një Shqipëri e vogël që do të shërbente si bërthama koaguluese e Shqipërisë etnike të së ardhmes, se pa atë. Por pasardhësit e tyre ishin mendjengushtë dhe të dështuar në këtë synim. Sot, pas më shumë se një shekulli, duhen platforma të qarta. Dhe duke iu kthyer rastit konkret të Maqedonisë, së pari kërkon një “Road Map”, që fillon nga puna këmbëngulëse ndaj faktorëve ndërkombëtarë vendimmarrës që t’i bindësh se ndarja e Maqedonisë është garanci paqeje afatgjatë në Ballkan. Pastaj, puna diplomatike me fqinjët dhe gjetja e aleancave rajonale, puna bindëse me ta se nga kjo ndarje dhe riformatim nuk ka rreziqe; organizimi i faktorit shqiptar “in loco” që mos të bëhen kashtë e koqe si deri më sot; evidentimin e trojeve shqipfolëse, pasi harta demografike e ofruar nga maqedonasit ka fshirë hapësira të tëra shqiptare në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë. Kush ka qenë në Strugë dhe biseduar me shqiptarët e atjeshëm, e di se aty është qyteti që sipas besimit të tyre ndahet Gegëria (në veri të vijës) me Toskërinë (në jug). E pra, faktori dhe hapësira toske nuk paraqitet fare në hartat maqedonase. Ndërkohë, duhet gjetja e interlokutorëve maqedonas që të jenë të gatshëm për zgjedhje të tillë. Ndaj rreshtimi i shqiptarëve në krah të Zaev apo Gruevskit, të “X”-it apo “Y”-it, ka kuptim për aq sa këta pranojnë ndarjen me bisedime të krijesës së dështuar të quajtur Maqedoni. Mandej duhet evidentimi si banorë të Maqedonisë dhe shqiptarëve që janë në emigracion, të cilët nuk janë në asnjë statistikë, përcaktimin e piketave të qarta se si do të trajtohen minoritetet respektive me ndarjen eventuale, statuset e qyteteve historike për dy popujt, pasuria e trashëguar, dhe shumë faktorë të tjerë.
Shtatëdhjetë e pesë vjet Jugosllavi dhe njëzet e pesë Maqedoni treguan se maqedonas e shqiptarë nuk jetojnë dot bashkë. Ndarja mund të kërkojë dekada, duke kaluar në forma tranzitive. Por, atë që Zoti e bëri të ndarë, robi nuk mund ta bëjë bashkë! Ndaj është më racionale dhe praktike të shkosh në hullinë e gjërave siç i ka bërë natyra sesa të përpiqesh t’i modifikosh ato. Pasi, të modifikosh gjërat, shpesh pjell monstra. Të cilat, sado të dashura të jenë për krijuesit, janë diçka që duhen vrarë. Nuk i shërbejnë askujt.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: