TIRANË

Nënkryetarja e PD-së Grida Duma ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News24 për Durrësin, qytetin ku kandidoi në 2015 për kryetare bashkie. Ajo tha se shkoi në Durrës pa asnjë njohuri për degën dhe kur PD kishte vetëm 2 vite në opozitë dhe arriti një rezultat prej 43% të votave, ndërkohë që në 2011 ishte 27% dhe theksoi se rezultati i saj nuk është arritur ende sot.

Ajo tha më tej se Sali Berisha humbi bastionet e PD, Kavajën dhe Shijakun që nuk ishin humbur as në ‘97.

“Nuk janë palë ende, do të ishin po të ishin parti politike. Zhvillimet tanishme, zhvillime të absurdit. LSI bën koalicion me një grup njerëzish. Spekulimet e tjera, janë ngërçe, kapak pusete. Si të mbulojmë ta palarat. Nuk kam gjë me LSI-në. Është një parti në situatën e saj që përpiqet të maksimizojë. Votuesi i PD-së të mos shkojë tek asnjë parti tjetër. Nuk ka nisur sot, ka gjithmonë momente të intrigës politike. Kur vjen nga kundërshtari është e mirëkuptueshme. Nuk është e mirëkuptueshme se do donim dhe ne një politikë perëndimore. Në fakt nga e keqja nuk del vetëm keq, herë pas herë anët e monedhës janë bashkë, e mira dhe e keqja ecin bashkë. Ky është një moment i përmendjes për keq dhe në mënyrë totalisht mashtruese të shifrave. Që në 2013 kur PD humbi zgjedhjet, kam qenë e vetmja që mbrojti arritjet e PD-së dhe në humbje.

Në 2015 kur kthehesha në Durrës pas 17 vitesh, pa asnjë njohuri për degën në Durrës dhe ajo që kanë bërë durrsakët me mua është një nga gjërat më të mrekullueshme. Dua t’i falënderoj, është mirënjohja dhe admirimi më i madh për votuesin. Mendoni që në 2013 ishte humbja, në 35 ditë fushatë u arrit një rezultat që nga 2013, 2017, 2021 nuk është arritur akoma. Shifrat e mia në 2015 janë ende sot maja e shifrave të arritjes së PD-së. Unë kam 43% në 2015 në opozitë, me një parti të pastabilizuar, me probleme me një bashki të Durrësit, e cila Sali Berisha dhe të etët e lanë me 8 mandate dhe nga 2005 kanë humbur me nga 8 mijë, 9 mijë e ca veta. Në opozitë ta çosh 43%. Nën kryesimin e Palokës dhe një grupi deputetësh, e zbresin në 2017 në 27%. Nga 33% në 2011, shkon në 43% kur garoj unë dhe në 2017 zbriti në 27%. Nuk i jam kthyer kurrë asaj bashkie as për t’i thënë që këtu ishte krimi, pushteti, non grata sepse kam një etikë dhe për kundërshtarin. Ne i dimë dosjet, përgjimet, non grata, por në qasjen time në politike nuk dua të theksoj as të këqijat e kundërshtarit kundrejt përgjegjësive të vetes. Bëja takim elektoral, njerëzit më rrihnin shpatullat, ik, ik se tek ne e ke të marrë, por ruaj votat.

Treshja, katërshja, pesëshja kryesore e partive, por në 2013 kur PD e la në një nga rezultatet më të dobëta të vetët…të them dhe një gjë, PD akoma nuk ka reflektuar që me pushtetin lokal ka dështuar. Me pushtetin lokal ka humbur zgjedhjet në nivel kombëtar. Berisha kryeministër, Berisha deputet në Kavajë, Kavaja bastion i PD e humb në 2011 në mënyrë të paimagjinueshme. Humb Shijakun, ta lëmë Durrësin që është shumë delikat, por këto kanë qenë bastione të PD-së. Sot media që financohen nga Foltorja diskutojnë për Kavajën si është sot. Kavaja kalon nga 84% në 2007 dhe humbet në 2011 kur nuk ka humbur as në ’97. Pse nuk reflektohet mbi këtë çështje”, deklaroi Duma.

Ajo tha më tej se nuk i quan kundërshtarë ata që janë tek Foltorja, por se një parti e madhe nuk mund t’i çojë votuesit në një parti më te vogël dhe theksoi se demokratët nuk duhet të votojnë logon e LSI-së.

“Po jam një nga njerëzit më të votuar në PD dhe do ta them këtu. Nuk janë kundërshtarë ata që janë tek Foltorja. Unë nuk do t’i quaj kurrë kundërshtarë. Unë as dua ta pranoj që votuesi i PD-së do votojë logon e LSI-së. Askush s’do duhet të votojë, votuesi i PD-së, logon e LSI-së. Qofshin të gjitha bashkë.  Një parti e madhe të shkojë ta çojë votuesin tek një parti e vogël për një çështje personale është një gjë që nuk pranohet. Demokratët nuk duhet ta bëjnë”, u shpreh nënkryetarja e PD-së.

Lidhur me kandidatin e Berishës në Durrës, ajo tha se ai po bën vetëvrasje politike.

“Kjo ka qenë arsyeja pse unë e kam komentuar kandidati ne LSI-së, duhet quajtur fatkeqësisht. Unë e njoh. Kam thënë se cilido që është pjesë e Foltores që ka punuar për mua dhe me mua në fushata i jam mirënjohës. Gjëja më e papranueshme është mungesa mirënjohjes, por jo e pengut. Të gjithë vijmë si pasojë e rrethanave, rekomandimeve, rrjeteve. Nuk janë procese për të na mbajtur peng. Dhe me atë individin që garon sot, kam keqardhje që po e vendos veten dhe po bën vetëvrasje politike. Arsyeja që e çon sot atë të kandidojë nuk duhet të prevalonte ndaj ambicies së tij në PD. Do vijë pas 2-3 vitesh dhe do t’i bëjmë prapë këto logjika dhe do themi kush e goditi këtë situatë. Ne e dimë se cilido qoftë kandidati, ai hyn me një avantazh nga logoja, pastaj vjen kandidati. Por kjo logo duhet të ushqehet jo të shkatërrohet sepse ndryshe e ke çuar bazamentin nën dhe. Nuk e kam kritikuar, por gati-gati më vjen keq për të sepse nuk është momenti. PD me gjithë problematikat që ka, të gërmojnë dyshemenë e vetë”, tha Duma.

Ajo deklaroi më tej se një njeri me një koeficient inteligjence normal nuk mund të besojë tek Berisha

“Nuk i takon pra, nuk besohet tek individi, besohet tek e tëra. Nuk mund të besohet tek një njeri që marrëdhëniet me të vërtetën para 25 prillit e ka të bardhë, pas 25 prillit e ka të zezë.

Kur dha dorëheqjen në 2013, unë kam qenë një natë më pas duke e mbrojtur dorëheqjen e tij, s’kam lënë askënd të flasë. Këtë individ që demokratët e kanë mbajtur mbi shpatulla… Jam mirënjohëse që po shikoj gjatë jetën politike në opozitë. Nuk i takon një njeriu me një koeficient inteligjence normal që të besoj tek Berisha. Doni t’i kthehemi Lulzim Bashës, i kthehemi, nuk ka asnjë lloj problemi, por duhet t’i thërrasim arsyes.

Në këtë partinë tonë demokratike të shtrenjtë, shumë të shtrenjtë, se ka arritur të mbijetojë momente të vështira me një elektorat të lëkundur nga komunizmi, duhet përdorur arsyeja, jo emocioni. Emocioni nuk mund të na çojë përpara. Ka shumë njerëz kështu jam, nuk ndryshoj, jo ti ndryshon se shoqëria ka nevojë të ndryshojë”, theksoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb