Nuredin Dumani në dëshminë e tij të të penduarit tregoi dhe porositësin e vrasjes së Indrit Dokles. Sipas tij, ishte Ervis Martinaj, i cili sot ka ngritur më këmbë policinë pas denoncimit të të afërmve ditën e djeshme 10 gusht, që porositi vrasjen e Dokles, i cilësuar edhe si numri 2 i Bandës së Durrësit, të drejtuar nga Lulzim Berisha.

Ai kishte lënë qelinë më janar të vitit 2020, me vendim të ish-gjyqtares të Krujës Enkelejda Hoxha. Pikërisht koha kur ndaj tij, sipas rrëfimit të Dumanit, porositet eliminimi.

Nga kjo dëshmi e Dumanit, Ervis Martinaj u shpall në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit policor, në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’.

“Unë kam marrë porosi nga Ervis Martinaj për të vrarë Indrit Doklen. Kam rënë dakord që Ervisi të më jepte për vrasjen e Indritit, shumën prej 500 mijë euro. Dhe se për të kryer këtë vrasje, kam marrë paradhënie 100 mijë euro.”, tha Nuredin Dumani. Po sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, në emër të Ervis Martinaj, për të siguruar mjetet për të ekzekutuar Indrit Doklen, ai ka shkuar edhe në Kosovë. “Në emër të Ervisit kam vajtur dhe kam takuar në Kosovë dy shtetas, një i thirrur Eli dhe një tjetër që është vëllai i Besian Xhixhës. Gjatë takimit Eli komunikoi me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit, komunikova me Ervisin i cili më propozoi vrasjen e Indrit Dokle.”, tha ai.

Sipas hetimit, personi me emrin Eli që përmend Dumani, është pikërisht Elvin Merlika. Kurse vëllai i Besianit është Alket Xhixha. Të cilët kanë udhëtuar drejt Kosovës me automjetin tip Hummer të cilin e identifikon Nuredin Dumani. Ku gjatë këtij takimi, Nuredin Dumani ka marrë edhe shumën prej 100 mijë euro nga Ervis Martinaj.

Detaje të cilat konfirmohen edhe nga dëshmia përpara hetuesve e Henrik Hoxhaj. “Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e Indrit Dokles. Në një nga bisedat që në bënin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë. Çmimi ishte mbi 500 000 euro, pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash para. Pasi i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Nuredini kishte informacion se Indriti jetonte tek një vilë në një kompleks luksoz.”, tha Henrik Hoxhaj. Henrik Hoxhaj shpjegon se vëzhgoi lëvizjet e ish –kreut të njërit prej dy fraksioneve të bandës së Durrësit, por nga mënyra sesi ruhej dhe zona nga ai banonte, për bashkëpunëtorin e drejtësisë, bënin që Indrit Dokle të ishte një “objektiv” jo i lehtë.

“Me makinë me qira kam shkuar deri tek një qendër tregtare për të vënë re nëse mund ta shihja Indritin, por nuk e kam parë. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar ‘Toyota’. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e Liqenit Artificial afër Kopshtit Zoologjik. Thjesht e kam parë por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera.”, tha Hoxhaj. Lidhur mbi dëshminë e Nuredin Dumanit mbi lëvizjen drejt Kosovës të Alket Xhixhës dhe Elvin Merlikës, sipas hetuesve ato rezultuan të besueshme pas verifikimit të kryer nga ana e tyre.

GRUPI HETUES
Nëpërmjet sistemit TIMS u evidentuan hyrje- dalje të Alket Xhixhës në drejtim të Kosovës. Kjo edhe në verifikim të të dhënave të përftuara nga deklarimi i Nuredin Dumanit. Ky verifikim në sistemin TIMS kishte si synim që të evidentoheshin automjetet me të cilët ka udhëtuar Alket Xhixha në drejtim të Kosovës. Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se shtetasi Alket Xhixha ka udhëtuar nga Shqipëria për në Kosovë me automjetin tip AB309BZ në datën 18.01.2021, ora 15:23:48 së bashku me shtetasin Elvin Merlika i cili ka qenë në drejtimin e këtij mjeti me orë dalje 15:23:36. Po kështu këta dy shtetas rezulton të jenë kthyer në Shqipëri po në datën 18.01.2021 me të njëjtin automjet me targë AB309BZ.

Elvin Merlika rezulton se ka hyrë nga Pika e Kalimit Kufitar Morinë në datën 18.01.2021, ora 20:08:00 kurse Alket Xhixha me po të njëjtin automjet dhe datë por ora është 20:08:00. Tërësia e këtyre provave krijon dyshimin se Nuredin Dumani, Ervis Martinaj, Elvin Merlika, Alket Xhixha dhe Henrik Hoxhaj, kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen e Indrit Dokles, kryer në bashkëpunimin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb