TIRANË- Moratoriumi i Gjuetisë i vendosur me një ligj për një periudhë 5-vjeçare ka sjellë përplasje mes qeverisë, institucioneve përkatëse dhe gjuetarëve. Nga njëra anë Ministria e Mjedisit dhe ekspertët deklarojnë se ky moratorium do të sjellë efekte pozitive për faunën.

Pikërisht ky ‘konflikt’ diskutohet sot në emisionin e gazetares Ola Bruko “Njerëz në fokus”, ku në panel janë vendosur përballë, Zv.ministri i Mjedisit, Kledi Xhaxhiu, drejtori i Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, Zamir Dedej si dhe Kryetari i Shoqatës së Gjuetarëve Tiranë, Abdyl Dingu dhe kreu i Federatës Kombëtare të Gjuetarëve të Shqipërisë Themi Perri.

Që në fillim ka pasur debate mes palëve. Zëvendësministri Xhaxhiu pranoi se moratoriumi ka pasur efekte negative por sipas tij situata është më e mirë, megjithëse ka ende shumë punë.

“Moratoriumi i Gjuetisë ka dhënë edhe efekte negative. Situata është më e mirë, por ka ende shumë punë. Moratoriumi 5-vjeçar është për të mbrojtur natyrën”, ka thënë Xhaxhiu.

Nga ana tjetër, Themi Perri, përfaqësues i Federatës së Gjuetarëve deklaron se nuk është marrë mendimi i tyre dhe se ky moratorium po lejon gjuetinë e paligjshme.

“Ministria e Mjedisit dhe zotërinjtë në panel duhet të jenë më të drejtpërdrejtë dhe me komunitetin e qytetarëve. Moratoriumi është bërë pa bashkëpunuar me gjuetarët. Moratoriumi i gjuetisë, ligj absurd i qeverisë, po lejon gjuetinë e paligjshme. Çfarë është bërë për ndalimin e gjuetisë?”, ka deklaruar Perri.

Ndërkohë në emision janë bërë publike edhe pamje të shpendëve të vrara, pavarësisht moratoriumit.
Eksperti për zonat e mbrojtura Zamir Dedej, deklaroi se procesi për ndalimin e gjuetisë ka pasur konsultime. Ai u shpreh se ky moratorium synon të mbrojë një grup më të madh se gjuetarët.

“Është organizuar sipas procedurave normale që ka shteti për pr.ligjin për ndalimin e gjuetisë për një periudhë 5-vjeçare. Shoqatat e gjuetarëve kanë ardhur në mbledhje dhe kanë thënë ne nuk jemi dakord. Zoti Perri ka bërë një deklaratë dhe pas kësaj ka vazhduar mbledhja me disa. Moratoriumi kërkon të mbrojë një grup më të madh se gjuetarët, që janë shpendët dhe fauna si dhe shoqëria civile”, tha Dedej.

Ndërkohë, Dedej theksoi se Ministria e Mjedisit është koshiente që ka dhe raste të abuzimeve, pavarësisht moratoriumit. “Shumë nga këto foto janë të vjetra. Këta janë gjuetarë që janë pa kontrolle që gjuajnë. Ne jemi koshient që ka raste. Kemi filluar të numërojmë shpendët ujor, pasi ka tendencë të zhduken. Është zhdukur thëllëza e fushës.”, tha Dedej.

Ndërkohë, Perri theksoi se: “Ju do mbani përgjegjësi për shfarosjen e faunës së egër. Ndaj s’do e mbash tërë kohës atë karrige”.

Teksa u ndal tek pyetja se pse moratoriumi është vendosur për një periudhë 5 vjeçare, Dedej tha se ka një klauzolë që përcakton ndryshime nëse vërehet që situata në një zonë është përmirësuar.
“Është bërë konsultimi me ekspertë, pasi nuk dëmtohet popullata. Nëse ka indikatorë të rregullimit të bilanceve në zona të caktuara, Ministria e Mjedisit do të hapë gjuetinë.”, tha Dedej.

Nga ana tjetër, Dingu akuzoi av.ministrin se të gjitha argumentet që ai dha ishin gënjeshtra. “Ato që tha zv.ministri janë të gjitha gënjeshtra. As pelikalni, as çafkat, në lagunën e Karavastasë në Divjakë nuk ka pasur asnjë specie. Këtë nuk e kanë idenë se çfarë është gjuetia. Do shihini ju thëllëzën me sy? Kë do shikoni ju me sy? Si shihni dot se atë e dallon vetëm një gjuetar i mirë. Shumica e specieve objekt gjueti janë 10 të tilla. Kur shkoi Rama në Karavasta, atje nuk ishte asnjë specie.”, theksoi Dingu.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: