Një gjyqtare në qytetin e Elbasanit është arrestuar nga Prokuroria e Posaçme nën akuzën e korrupsionit. Behet fjale për gjyqtaren Zamira Vyshka. Mësohet se ndaj gjyqtares është caktuar masa ‘arrest shtëpie’ për shkak dhe të moshës së saj (61 vjeçe). Ndërkohë, në pranga ka rënë dhe avokati Ilir Pashaj. Ata akuzohen pas dyshimeve për korrupsion.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se gjyqtarja dhe avokati akuzohen se kanë marrë 4 milionë lekë të vjetra.

Ilir Pashaj është ish-gjyqtar i larguar me dorëheqje. Sipas Lalës, lekët janë marrë për të lehtësuar një mase dënimi, ndërkohë që janë edhe 3 qytetarë të dyshuar për këtë rast korrupsioni.

Gazetarja konfirmon se bëhet fjalë për një rast të vitit 2021.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.209 të vitit 2021, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsionit pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit.

Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit. Gjykata me vendimin nr. 64 datë 21.07.2022 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal për 5 (pesë) shtetas.

Më datë 22.07.2022 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës nr.64 datë 21.07.2022, për caktimin e masave të sigurimit.

Është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale për shtetasen Z. V., me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan.

Janë ekzekutuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, për shtetasin I. P., me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit T.R. dhe Xh.M.

Është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale edhe për shtetasin A.T.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb