Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg i dha sot të drejtë gjykatave në Maqedoninë e Veriut që të vazhdojnë proceset ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë të VMRO-së, mes tyre edhe të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për sulmin e kryer ndaj parlamentit dhe për raste të tjera gjyqësore. Ish zyrtarët ishin falur nga presidenti Gjeorgje Ivanov në atë kohë, por gjykatat maqedonase nuk e kishin njohur faljen e tyre.

Vendimi i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg është mirëpritur nga autoritetet qeveritare të cilat e quajnë një “fitore të madhe për drejtësinë e vendit”, ndërsa VMRO-ja e opozitës vlerëson se “Strasburgu vetëm konstaton se aplikimi i palës ankuese është i hershëm”.

Në vendimin e Gjykatës në Strasburg thuhet se ankesat e ish funksionarëve të lartë dhe politikanëve në Maqedoninë e Veriut shpallen si “falje të palejueshme”. Gjykata në Strasburg bën të ditur se ka vendosur dhe se vendimi është përfundimtar.

Kjo do të thotë se nuk miratohet vendimi i ish-presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e një numri personash të dënuar dhe në proces gjyqësor lidhur me sulmet e 27 prillit të vitit 2017 në parlament dhe për disa raste të tjera ku janë të përfshirë ish-zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së, tani në opozitë.

Ankesa në Strasburg u ngrit nga shtatë persona, ndër ta ish-drejtues dhe përfaqësues të lartë shtetërorë dhe të VMRO-së, Nikolla Gruevski, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Sasho Mijallkov, etj.

Gjykata e Strasburgut, ndërkohë thotë se gjykimi patjetër duhet të vazhdojë, sepse pala e cila ankohet nuk i ka shterruar të gjitha mekanizmat ligjorë brenda vendit.

Autoritetet maqedonase vlerësuan atë kohë menjëherë pas vendimit të ish-presidentit Ivanov se ai binte ndesh me ligjet e vendit, se ishte burim i pasigurisë juridike dhe se nxiste pakënaqësi të madhe tek qytetarët.

Ndërkohë, pas vendimit në Strasburg, Kryeministri Dimitarv Kovaçevski u shpreh të enjten se “Kjo është fitore edhe për shtetin edhe për drejtësinë dhe për sistemin gjyqësor të vendit tonë”, teksa theksoi përkushtimin e institucioneve të vendit ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të Konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Proceset gjyqësore ndaj të akuzuarve kanë të bëjnë me vepra penale që ndërlidhen me përmbajtjen e përgjimeve të paligjshme, për çka më pas qe shpallur falje presidenciale. Por, vendimi për faljen u hodh poshtë nga gjykatat e vendit dhe procesi i gjykimit vazhdoi, dhe kjo pasoi ngritjen e ankesave në Strasburg./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb