Arrestimi i ish zyrtarit të lartë të FBI Charles McGonigal dhe bashkëpunimi i tij me një oligark rus dhe me Shqipërinë gjatë vitit 2017, bëri jehonë në mediat më të mëdha botërore.

McGonigal përballet në SHBA me dy akuza, për marrje të parave nga nj oligark rus në lidhje me fshirjen e emrit të tij nga lista e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, dhe me një tjetër akuzë në Uashington, në lidhje me vizitat e tij në Shqipëri dhe marrjen e një sasie parash prej 225 mijë euro nga një punonjës i shërbimit informativ shtetëror.

Por çfarë deklaronte muaj më parë kryeministri Edi Rama në lidhje me Charles McGonigal?

Në një bashkëbisedim online me qytetarët, Rama e quajti McGonigal mikun e tij ndërsa tha se akuzat ndaj ish zyrtarit të FBI-së, nuk janë diçka që lidhen as me të si kreu i qeverisë dhe as me Shqipërinë.

“Shefi i Kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA kjo është çështje e tij me drejtësinë atje. lëreni të flasë drejtësia në SHBA. Nuk bëhet drejtësia e nuk nxirren fajtorët e nuk bëhen akuzat në këtë farë feje se është e tmerrshme. Dhe nuk është e tmerrshme për mua sepse nuk kam asnjë problem dhe për sa kohë vijoj në këtë detyrë i kam marrë parasysh dhe pres më shumë se kaq, i pres të gjitha. Por është e tmerrshme për këtë popull për këtë vend, për gjithë ato që ne i konsiderojmë vlera shqiptare e parime  e tradita. Çfarë të them më shumë se kaq. Bëhet fjalë për një çështje në SHBA që s’ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare, biznes të çfarëdollojshëm, me këtë teori i bie që ne nuk duhet të takojmë askënd sepse nesër dikush mund të ketë një problem me drejtësinë në vendin tij. Kjo është çmenduri”, deklaronte Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb