Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se ai rezultoi pozitiv me COVID-19 të hënën herët dhe se do të qëndronte larg zyrës për 10 ditët e ardhshme, sipas protokollit standard.

Njoftimi erdhi pasi zoti Price kishte marrë pjesë në takimet në Nju Jork në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Zyrtarët e Departamentit të Shtetit thanë se Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rezultoi negativ për COVID-19ën. Ai ka qenë në kontakt të ngushtë me zotin Price.

“Pasi përjetova simptoma për herë të parë këtë mëngjes, rezultova pas kësaj pozitiv nga testimi për COVID-19, dhe tani do të karantinohem për 10 ditët e ardhshme. Ndiej lodhjen, por jam mirënjohës për mbrojtjen nga sëmundja e rëndë të ofruar nga vaksina të sigurta dhe efektive”, njoftoi zoti Price në një mesazh në Twitter.

“Sekretari Blinken doli negativ për COVID-19 këtë mëngjes dhe i nënshtrohet testimit të rregullt”, tha zëvendës zëdhënësja Jalina Porter gjatë një konferencë telefonike të hënën me gazetarët.

E pyetur nëse Departamenti i Shtetit i kishte njoftuar të gjithë zyrtarët nga vende të ndryshme me të cilët Sekretari Blinken u takua javën e kaluar në Nju Jork, pasi zoti Price kishte qenë në shumicën e atyre takimeve, zonja Porter tha se zoti Price “nuk ka qenë në kontakt me ndonjë delegacion të huaj që nga e enjtja”, duke cituar protokollin e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

“Në konsultim me njësinë mjekësore të Departamentit të Shtetit, ne besojmë se rreziku i ekspozimit do të ketë filluar të shtunën”, tha zonja Porter, duke shtuar se zoti Price “në atë kohë nuk ishte pranë sekretarit, nuk ishte pranë ndonjë zyrtari tjetër të Departamentit të Shtetit apo ndonjë zyrtari të huaj”.

CDC thotë se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të karantinohen pas kontaktit me dikë që kishte COVID-19 nëse nuk kanë simptoma.

Njerëzit e vaksinuar plotësisht duhet të testohen tre deri në pesë ditë pas ekspozimit të tyre, edhe nëse nuk kanë simptoma, dhe të mbajnë një maskë në ambiente të mbyllura në publik për 14 ditë pas ekspozimit ose derisa rezultati i testit të jetë negativ.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb