Tre plumba ka marrë 52-vjeçari që u plagos mëngjesin e sotëm në Shkodër. Burimet thanë për “BalkanWeb” se i plagosur ka mbetur 52-vjeçari Ardjan Narkaj, i cili ka marrë një plumb në kofshë, një në gjoks dhe një në parakrah gjatë operacionit për arrestimin e tij nga forcat RENEA.

Mësohet se ai ishte në listën e personave në kërkim si autori i një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në viti 2008 në Malësinë e Madhe, në fshatin Bratosh, ku viktimë mbetën Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota.

  • foto galeri
  • foto galeri

Krimi i dyfishtë ndodhi gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga Policia. Narkaj u dënua nga Gjykata e Apelit Shkodër me 4 vite e 10 muaj burg, pasi u shpall fajtor vetëm për vrasjen e Gjergj Shotës. Por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit në Shkodër, duke kthyer për rishqyrtim në vitin 2015 çështjen.

Pasi ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Shkodrës, i plagosuri është nisur me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb