Ditën e nesërme do të zhvillohet ceremonia e dorezimit të detyres për Komisionerin Shteteror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Mësohet se kjo ceremoni do të mbahet në orën 10:00, ku kryetari i KQZ-se në perfundim të mandatit, Klement Zguri do i dorëzojë stafetën Celibashit.

Ceremonia do të zhvillohet ne ambjentet e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve.

KUSH ESHTE CELIBASHI
Kujtojmë se dje me vota maksimale, deputetët votuan në krye të institucionit më të rëndësishëm të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashin, figurë e cila mori edhe pëlqimin e opozitës jashtë parlamentare. Deputetët e pranishëm në seancë i dhanë besimin me 106 vota pro, Celibashit në postin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ilirjan Celibashi vjen nga një eksperiencë e gjatë si jurist i spikatur dhe me administrimin e zgjedhjeve. Kujtojmë se ka drejtuar KQZ në periudhën 2001 – 2006, ku përgatiti dhe administroi Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2001 dhe 2005, si dhe Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2003. Në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të 23 qershorit 2013, z. Celibashi u zgjodh deputet i Qarkut të Fierit, për Partinë Socialiste, ndërsa mori postin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Tashmë ai do të mbajë detyrën e Komisionerit shtetëror të zgjedhjeve me një mandat 7-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Komisioneri Shtetëror është organ monokratik me kompetenca kryesore, drejtimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë se administratës zgjedhore gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve. Emëron dhe shkarkon anëtarët e KZAZ-ve. Miraton shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet për Kuvendin dhe për këshillat vendore, si dhe jep mandatet për çdo deputet. Struktura e KQZ-së së re përbëhet nga 3 organe drejtuese: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator me 5 anëtarë dhe mandat 5-vjeçar, si dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, gjithashtu me 5 anëtarë, por me mandat 9-vjeçar.

Lealba Pelingu është zgjedhur me 105 vota në postin e nënkomisionerit shtetëror të zgjedhjeve. Zonja Pelingu vjen nga radhët e PD-së, pasi ka mbajtur postin e drejtueses së Departamentit antikorrupsion në Partinë Demokratike. Emra të njohur gjithashtu janë miratuar edhe në përbërje të Komisionit të ri Zgjedhor, ndër to edhe avokati i njohur Ledio Braho. Kujtojmë se Braho ka bërë mbrojtjen e ish-deputetit Ervin Salianji në çështjen e njohur si dosja “Babale”.

Pjesë e listës së re përbërëse janë edhe Elvis Çefa ish-nën kryetar i KLD, si edhe Helga Vukaj , ish-ministre e Financave në qeverinë teknike të 2017, e cila ka punuar për vite me radhë në administratën e lartë shtetërore, duke mbajtur poste nga më të ndryshmet.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: