TIRANE-Julian Morina ka reaguar pas deklaratës së dhënë nga presidenti Refik Halili mbi problematikën e aksioneve të shoqërisë aksionere të Tiranës. Për “Panorama Sport” donatori i bardhebluve jep variantin e tij mbi tratativat dhe marrëveshjen paraprake që ka pasur mes tij, Halilit dhe kryetarit të bashkisë. “Para një muaji, ose diçka më tepër, arritëm një pakt burrash që do t’i ndanim 50 me 50 aksionet. Pra, 33 për qind do të ishin të Tiranës, ndërsa 66 përqindëshi do të ndahej mes nesh, por me nga 33 për qind. Të pranishëm kur u arrit kjo marrëveshje fillestare ishim jo vetëm unë dhe Halili, por edhe kryetari i bashkisë. Si bashkëinvestitor që ishim për më shumë se një vit, konkretisht që nga vera e vitit 2013, sigurisht që ndarja duhet të ishte e barabartë. Megjithatë, më vonë Halili thoshte që nuk mund t’i ndanin në gjysmë. E pranova këtë pjesë”, tha fillimisht sponsori i bardhebluve.

Shitja
Më tej, Morina pohon se pranoi që të merrte vetëm 20 për qind, ndonëse më vonë Refik Halili (i cili disponon 66 për qind të aksioneve) tentoi t’ia shiste. “Pas bisedave të vazhdueshme, u arrit një tjetër pakt, që unë të merrja 20 për qind të aksioneve. Pasi arritëm një konsensus në parim, sërish në zyrat e shtetit, i dhamë duart njëritjetrit. Pra, ramë dakord për gjithçka. Më vonë Halili nuk e mbajti fjalën, madje donte që të m’i shiste këto 20 për qind për të cilat ne kishim arritur akordin që mua më takonin. Kjo më duket pabesi. Ndaj, i thashë Halilit që nëse gjen dikë që t’ia blejë, unë ia jap me shkrim dhe të noterizuar se këto aksione i fal. Pra, nuk dua parà. Besoj se është kuptuar pjesa që unë nuk jam ndonjë i pasionuar pas futbollit, nuk kam për qëllim që të marr përgjegjësi”, u shpreh më tej donatori.

“Puçi” Sa i përket frikës së Halilit për një “puç” të mundshëm, Morina shpjegon se është e pamundur që të ketë komplote të tilla, pasi ai nuk është ndonjë i pasionuar në futboll. “Frika për ‘puç’? Njerëzit që nuk mbajnë fjalën, janë mosbesues. Ai ka frikë se mos u bëj mazhorancën me bashkinë, por kjo gjë nuk ndodh kurrë dhe e them me pastërtinë maksimale. Por nëse do ta ktheja nga ana tjetër, këtë mund ta bënte edhe Halili, nëse ne do t’i kishim baras aksionet”, shtoi ndër të tjera Morina mbi këtë çështje.

Tërheqja
Gjithnjë ka qenë i tërhequr në fakt, edhe në kohën kur ishte partner në drejtimin e Tiranës, vetëm në stadium mund ta shihje, pasi gjithnjë i shmangte mbledhjet. “Nuk jam tërhequr. Jam ende këtu. Por, se çfarë do të ndodhë në vazhdim, as unë nuk e di. Së fundmi, nuk kam folur dhe as jam takuar me Halilin, pres vetëm që të më njoftojnë që të zbatohet marrëveshja që arritëm si burra. Por nuk kam ndër mend që të heq dorë nga pakti që kishim arritur javë më parë. Pra, nuk pranoj as 19 për qind të aksioneve. Unë kam investuar sikundër kishim rënë dakord, madje ndoshta diçka më shumë se 50 për qind. Por me këtë pjesë nuk po merrem, pasi nuk ka shumë rëndësi”, përfundoi Julian Morina.

“Më takon 1/3-ta e aksioneve të Tiranës”
Lutfi Nuri, në një intervistë të dhënë afro një muaj më parë për gazetën, deklaroi se meriton 1/ 3-at e aksioneve. “Nuk kam bërë kërkesë zyrtare në bashki për kontributet dhe nuk besoj se është dashur një gjë e tillë. Të gjithë e dinë, bashkia në radhë të parë, kontributin financiar që familja Nuri ka dhënë gjatë këtyre 20 viteve. Kemi dhënë parà pa fund dhe asnjëherë nuk kam kërkuar fatura apo gjëra të këtij tipi, pasi e kam bërë me koshiencë të plotë për klubin që kam dashur gjithnjë. Çështja e aksioneve është biseduar para disa kohësh dhe u ra dakord parimisht që 66-përqindëshi të ndahej më tresh, pra secili nga 22%, pavarësisht se ajo që kam paguar unë dhe z.Halili nuk mund të krahasohet me atë që ka kontribuar vetëm para një viti. Por, përtej kësaj, unë e thashë se nuk kishte asnjë problem, le të ndaheshin aksionet më tresh. Unë nuk e kam parë kurrë në jetën time atë klub për të nxjerrë fitime, por vetëm kam dhënë shumë kontribute për ta parë sa më lart. Sa për dijeni, edhe sot e kësaj dite unë jap parà për Tiranën. Debatik Curri është dhurata që i kam bërë unë ekipit. Ai ka ardhur aty për faktin se ra dakord me mua dhe rrogën e tij e paguaj dhe do ta paguaj unë. Uroj që kjo ndarje të jetë e përkohshme, pasi gjykoj se realisht më takojnë aksione në atë klub për kontributin e madh që ka dhënë familja Nuri ndër vite”, deklaroi Nuri, familja e të cilit pritet që të marrë përqindje nga këto aksione.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb