TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh mbrëmjen e sotme për shqiptarët por nuk kanë munguar dhe kritikat për opozitën për situatën post tërmetit.


Rama deklaroi se deri tani nga ana e qeverisë është bërë më e mira dhe se janë sistemuar mijëra njerëz në hotele, shtëpi e apartamente dhe të tjerë nëpër fshatra me çadra. Ndërkohë ai tha se opozita ka qenë inekzistente dhe se tregoi mungesë përgjegjshmërie me refuzimin e tryezës së dialogut.


Po kështu një tjetër çështje ishte ajo e ndihmës nga komuniteti europian duke kujtuar konferencën e donatorëve që pritet të mbahet në fund të dimrit.


“Miqtë e mi besoj kemi bërë më të mirën deri në këtë moment edhe pse e mira nuk ka fund dhe me siguri ka pasur edhe plot të meta dhe gabime ndoshta në këtë rrugë për të kapërcyer një mal me halle imediate që duheshin adresuar me shpejtësi. Kemi sistemuar me mijëra njerëz në hotele me 5 yje dhe shtëpi e apartamente me qira. Kemi sistemuar mijëra të tjerë me çadra dimërore pranë banesave të tyre në zonën e fshatit nga ku nuk duan të lëvizin. Kemi nisur punën me rindërtimin në bashkëpunim me organizatat solidare me njerëzit në nevojë me Elvisin, me Arbrin me Marinin për shtëpitë në fshat dhe markitektë të huaj e vendas për planet e rindërtimit.

Për ndërhyrjen tërësore në Thumanë ku do përqendrohemi për një model shembullor rilindje apo në Kavajë dhe në Lezhë. Kemi mobilizuar komunitetin ndërkombëtar me shumë shpejtësi duke krijuar bindjen e komunitetit europian për domosdoshmërinë e një konference donatorësh. Konferencë me donatorët do ta mbajmë në fund të janarit apo fillim të shkurtit, në varësi të raportit final për dëmet që po përgatitet me ekspertë të BE. Nuk do të jetë e lehtë t’i bëjmë gjërat mirë e shumë shpejt në mënyrë që brenda vitit 2020 askush të mos të mbetet pa perspektivën e qartë dhe konkrete. Qëllimi im është që brenda vitit 2020 të gjithë banorët e fshatit që e kanë humbur shtëpinë ta gëzojnë Vitin e Ri në shtëpi të re shumë më të bukur e të re dhe me kushte më të mira se ajo që kishin. Ndërsa brenda qershorit të vitit 2021 të gjithë banorët që kanë humbur shtëpinë në qytete të jenë në apartamente të reja”, deklaroi Rama.

Ai theksoi më tej se vazhdojnë intensivisisht hetimet e policisë në bashkëpunim me prokurorinë për të dokumentuar përgjegjësit e çdo kahu e niveli për dëmet e shkaktuara si pasojë e abuzimeve në ndërtim. “Sot janë kryer arrestimet e para. Hetimet vazhdojnë pa pushim. Mos dëgjoni ata që gam-gamosin përnatë nëpër tendat mediatike duke u çjerrë me çehren e vrarë pse nuk ka arrestime. Ata nuk dinë si bëhet një punë përveç llafeve ku mblidhen si burrat e vjershave të Çajupit. Një merak dua ta ndaj me ju, arsye pse po ju shqetësoj me këtë mesazh. Opozita ka qenë thuajse inekzistente në detyrën e saj, përjashto daljet rutinë të Lulzim Bashës të cilin e përshëndes edhe njëherë dashamirësisht për një vetëpërmbajtje në momente të vështira për njerëzit ku u përpoq mos të bëhej i tepërt me fjalorin e rëndë të politikës së tij të përditshme. Por ama nuk mund të mos e kritikoj me keqardhje për refuzimin e përsëritur dhe absurd që të japë së bashku me opozitën një dorë në këtë situatë duke u ulur në tryezën e bashkëpunimit me njerëzit dhe për njerëzit. Nuk e di pse refuzon por di që refuzimi në një situatë të tillë është mungesë e plotë përgjegjësie për të mos thënë ndonjë fjalë më shumë.

Meraku im është se opozita, njerëzit rrotull Bashës si fillim ka nisur të japë shenjat e para të një lufte të egër balte ku me sa duket do të përpiqet dita-ditës të përdorë gjuhën e baltës për t’iu helmuar e për t’ju mërzitur si zakonisht me gënjeshtra, sajesa, shpifje, akuza apo me gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha. Kjo është puna e tyre dhe e Lulzim Bashës që me siguri do e marrë shpejt flamurin e asaj lufte”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai ‘premtoi’ se nuk do merret me ta. “Unë nuk dua të merrem me ta dhe do përpiqem të mos lejoj dhe njerëzit rreth meje që do merren me ta. Unë dhe të gjithë ne duhet të merremi me sfidën e jashtëzakonshme që na ka vënë përpara Zoti apo natyra duke na goditur të gjithëve si s’ka më rëndë por edhe duke na dhënë një mundësi të jashtëzakonshme që të ringrihemi së bashku përtej politikës, përtej partive edhe përtej vetvetes. Pra, duhet dhe do të ngrihemi edhe përtej vetvetes duke dhënë maksimumin sa më njerëzisht dhe sa më shqiptarisht për ata fatkeq që u dëmtuan më shumë sesa të gjithë ne të tjerët, për njeri-tjetrin dhe për fëmijët tanë padyshim dhe kështu për vendin tonë”, u shpreh kryeministri.

Ai siguroi qytetarët se do bëj çmos për transparencë dhe se abuzuesit do të shkojnë para drejtësisë.

“Dua tju siguroj për një gjë, unë do të bëj çmos që çdo qindarkë e angazhuar për këtë sfidë të shpenzohet me mençuri dhe me ndershmëri. Do të bëj çmosin që transparenca të jetë maksimale dhe këtu besoj se do t’ia dalim edhe fal komitetit kombëtar të rindërtimit ku jemi bashkuar përtej politikë, pa dallim feje, pa dallim bindjesh. Do bëj çmos që këtë sfidë të madhe të shkaktuar nga kjo fatkeqësi ta kthej në një mundësi të madhe për të krijuar shembuj kuptimplotë të rilindjes urbane e sociale duke u bërë bashkë. Ju lutem të keni besim dhe sa më shumë durim për çdo akuzë që mund të dëgjoni, jo u vodh këtu, jo u vodh atje, jo po abuzohet. Të jeni të bindur se do kërkoj verifikimin dhe argumentin e saktë nga ana jonë të çdo kujt që mund të akuzohet apo çdo gjëje që mund të vihet nën akuzë dhe nëse ka vërtetë bazë do të merren masa që çdo abuzues të shporret nga radhët tona dhe të shkojë në duart e drejtësisë nëse kjo do të jetë ajo që meriton dhe çdo abuzim të adresohet. Por ju lutem mos bini preh e baltës së përditshme që me sa duket do të rrjedhë lumë dhe mos prisni nga unë dhe ne që të merremi me përgënjeshtrimin e përditshëm”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb