Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Qendra Shëndetësore Nr.1 në Tiranë, apeluan për vaksinimin masiv, duke theksuar edhe detyrimin për vaksinimin ndaj COVID19 për studentët, mësuesit, pedagogët, si kusht për të qenë në auditore.

“Nëse Shqipëria sot ka stabilitet dhe është shumë më mirë se sa shumëkush tjetër rreth e rrotull, kjo vjen si rezultat i vaksinimit. Ne kemi bërë shumë shpejt procesin e vaksinimit. Kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv dhe prandaj jemi shumë më të mbrojtur sot. Se nëse ne nuk do të kishim pasur këtë sukses në këtë proces. Nëse nuk do të kishim siguruar sasitë për vaksinimin masiv qysh në krye të herës, sot ne do të ishim duke numëruar larg qoftë dhjetëra të tjerë të vdekur në ditë. Ky është fakt. Tani ne nuk mund dot të hyjmë në situata të rrezikshme, për shkak të atyre që thonë: jo po Bill Gates, jo po George Soros. Këtu tani ndahen gjërat.


Dhe në auditore do të hyjnë ata që vaksinohen. Sepse nuk ka mundësi që pjesa që është e vetëdijshme që do të mbrohet, të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit, apo që jetojnë me frikëra që janë komplet antishkencore, të pabazuara, të pajustifikueshme. Natyrisht që askush nuk i merr dot me forcë dhe ska ndërmend t’i marrë me forcë askund, por në mjedise ku janë të tjerët je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë vlen për mësuesit, e njëjta gjë vlen për administratën. Aty ku janë mjedise publike që mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët”, apeloi kryeministri Edi Rama.

Ministrja Manastirliu tha se gjatë muajit të hapur të vaksinimit ka një rritje të interesit nga të rinjtë, duke theksuar se plani i vaksinimit do të vijojë edhe në universitete apo konvikte.

“Në auditore, në universitete dhe konvikte ne jemi duke përgatitur grupet e vaksinimit për t’ju dhënë mundësinë që edhe nëse nuk vijnë dot në qendër shëndetësore, të mund të vaksinohen në konvikt apo pranë universitetit”, nënvizoi Manastirliu.

Duke ju referuar vaksinimit të detyruar, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Silva Bino dhe prof. Alban Ylli thanë se masat e detyrueshme janë te domosdoshme dhe në të mirë të shëndetit publik.

“Absolutisht po. Edhe mekanizmat detyrues njihen sepse gjithë bota i zbaton”, tha Bino.

“Thelbi i shëndetit publik janë masat, dhe masat janë me detyrim”, theksoi Ylli.
Teksa ka folur për Çertifikatën e Vaksinimit, Manastirliu tha se së shpejti do te integrohen të dhënat në sistemin e Bashkimit Europian për njohjen e Green Pass: “Tashmë kemi përfunduar të gjithë procedurat me Bashkimin Europian për të integruar sistemet, jo vetëm për kalimin e kufirit, por gjithashtu edhe për aksesin ndaj shërbimit në Europë, të njihet ky sistem, të njihet Green Pass, besoj brenda Shtatorit”, bëri me dije Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se do të vijojë ardhja e sasive të konisiderueshme të vaksinave sipas kontratave. Brenda muajit Dhjetor numri i vaksinave të mbërritura në vendin tonë do të jetë mbi 3 milion.

Gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore nr. 1 në Tiranë, Kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu ndoqën edhe programin e Kontrollit Mjekësor Bazë, i cili ka rifilluar në çdo qendër shëndetësore në vend, prej 1 Shtatorit. Duke vënë theksin tek rëndësia e këtij programi, prof. Alban Ylli tha se ky program parandalimi ishtë i domosdoshëm të rikthehej, pasi është tejet kosto-efektiv dhe do të ndihmojë në raport me monitorimin e shëndetit të popullatës, por edhe për gjendjen postcovid të qytetarëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb