Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i ka bërë thirrje presidentit Ilir Meta të vijë në Vlorë kur të bëhen inaugurimet e rrugës së Selenicës dhe Radhimë-Orikum.

Nga Vlora, ku po zhvillonte një takim me qytetarët së bashku me kryeministrin Edi Rama, Gjiknuri tha se nuk është e udhës që presidenti të futet fshehurazi në Vlorë për politikë.

Gjithashtu ai shtoi se në Vlorë ka ende punë për të bërë, por edhe tashmë sipas tij qyteti turistik është kthyer në një “brand”.

“Ne nuk jemi perfekt, nuk kemi realizime, por ne jemi më të mirët dhe qëndrojmë më të mirët. Ajo që është bërë në Vlorë, nuk ka koment. Kemi thënë në fushatën e parë para katër viteve që Vlorën do e bëjmë qytetin e dytë e pas Tiranës, e cilësuan si utopi, por tani është realitet sepse Vlora është thyer në një brand. Kushdo tjetër mund të ketë folur dhe flasë për Vlorën patriotike dhe historike. Vlora ka histori, por vëmendje nuk i është kushtuar nga qeveritë e tjera. Ju pëlqen apo jo e vërteta kjo është, Rama ka bërë realitet ndryshimin në Vlorë. A i kemi bëre të gjitha? Po ne prandaj duam të nisim punët që kemi nisur. Ne kemi paratë për rrugën Radhimë-Orikum, por edhe për rrugën e Selenicës, janë gjetur lekët. I bëj thirrje kryebashkiakut të Selenicës të ftojë presidentin e republikës, të mos vijnë fshehurazi Vlorë, por bashkë të inaugurojmë punimet. Nëse bëhet vepra, atëherë hajde sepse kështu e ka burrërinë Vlonjati, nëse vjen fshehurazi për politikë turp t’i vijë”, tha Gjiknuri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb