5 fitore në 5 ndeshjet e fundit në Serie A rikthyen Juven në garë për objektiva të rëndësishëm, madje në letër edhe titulli nuk është më i pamundur, fundja Inter është vetëm 6 pikë larg, por përpara “Zonjës së Vjetër” janë dhe dy ekipe si Atalanta dhe Napoli që ashtu si Juve janë jashtë gare në Evropë. Eliminimi i bujshëm nga Champions dhe Kupa e Italisë, përballë ekipeve si PSV dhe Empoli ka bërë me hije drejtuesit e Juves dhe trajnerin Thiago Motta, aq sa në dhomat e zhveshjes është e ndalur të flitet për titull.

TuttoSport, e përditshmja torineze, zbulon kushtin e vendosur nga drejtuesit: “Mos flisni për titull”. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ndonjë besëtytni, nuk është se Juve ka frikë të luftojë për titull, e aq më pak ta përmend si fjalë, fundja janë ekipi më i titulluar në Itali, por askush nuk dëshiron të shpërqendrohet në këtë pikë të sezonit.
Nga Motta te drejtuesit, të gjithë janë të qartë se përpara tyre janë tre ekipe shumë të forta, për këtë arsye objektivi kryesor është të blindojnë prezencën në Champions League sezonin e ardhshëm pasi kërcënimi nga poshtë është i fortë me ekipe si Lazio që janë shumë pranë. Një ndeshje shumë e rëndësishme për të kuptuar forcën e vërtetë të Juves vjen që këtë të shtunë ku ekipi i Motta-s pret në “Stadium” Atalantën e Gjimshitit.
(BalkanWeb)