Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestën e organizuar më 12 Shkurt për solidarizim me kryebashkiakun Erion Veliaj, jashtë GJKKO, në momentin kur po zhvillohej seanca gjyqësore ndaj tij, ku u caktua masa e sigurisë “arrest me burg.”

Berisha e cilësoi protestën si një akt që ka kaluar çdo normë dhe i ka dhënë ultimatum kryeministrit Edi Rama: “Mos guxo të organizosh një tjetër protestë,” theksoi ai, duke paralajmëruar se opozita do të kundërpërgjigjet me një protestë që Rama nuk mund ta imagjinojë.

“Janë tejkaluar të gjitha normat, jap ultimatum Ramës: Mos guxo të organizosh protestë tjetër. Sepse opozita do të përgjigjet me një kundër protestë që nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë. Po thirresh një protestë tjetër, do të thirret protesta përfundimtare për ty. Po shkojmë drejt zgjedhjeve, ki kurajën të përballesh me votën e shqiptarëve,” tha Berisha.

Ai e akuzoi Ramën për veprime që i kanë kaluar edhe kriminelëve më të njohur si El Chapo dhe Toto Rino. Sipas tij, ky sulm ndaj institucioneve është një dëshmi e shkallmimit të kryeministrit: “Edi Rama ka shkallmuar, këto që shihni ju janë vetëm një pjesë e dëshmive të shkallmimit të tij.”

Berisha përfundoi duke theksuar se akte të tilla që destabilizojnë vendin në prag zgjedhjesh janë të papranueshme dhe të dënueshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb